Javën e kaluar u mbajt një takim mes një grupi aktorësh me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për të diskutuar rreth ligjit për artin e kulturën. Ministrja u bë pjesë e emisionit ‘Arkapia’ nga Elsa Demo, ku foli për takimin e rradhës që do mbahet javën e ardhshme duke thënë se nuk ka asgjë me nxitim.

Kumbaro: Nuk kemi asgjë me ngut. Do marrim kohën e duhur, dita është 24 orëshe. Java ime e punës është 7 ditëshe por java e aktorëve dhe artistëve është 5 ditëshe, kështu brenda kohës që lejon java e tyre e punës dhe orët e tyre të punës që është teorikisht 8 orë, por për artistët mund të jetë dhe më pak dhe me angazhimet që kanë do ndërtojmë një kalendar të përbashkët. Jo vetëm me aktorët e teatrit, nuk kemi asnjë lloj nguti. Kemi ndërmarrë një nismë të cilët e gjykojmë që është në përfitim të artistëve, do ti kushtojmë kësaj gjithë kohën që meriton.

Gjatë bisedës, Kumbaro tregoi se këtë proces e kanë ndarë pa asnjë rezervë me publikun dhe mediat dhe do vijojë të jetë e tillë.

Kumbaro: Ministria e Kulturës nuk ka vetëm këtë prioritet. Ky kalendar do duhet të respektojë dhe axhendën e ministrisë që merret dhe me emergjencat. Do ta rakordojmë, s’kemi asnjë emergjencë. Në fund të fundit, iniciativën e kemi marrë ne, kështu që dhe iniciativën për përcaktimin e kalendarit do ta marrim sërish ne.

/Ora News.tv/