Drogë dhe armë, arrestohen nga policia 4 të rinj në Vlorë dhe Fier

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë pasi janë kapur me armë dhe drogë. Arrestimi i tyre është kryer në Vlorë dhe Fier në kuadër të operacioneve “Prita” dhe "Silenciatori". Në Fier policia është vënë në ndjekje 3 të rinjve pasi nuk i ndaluan patrullës, ku më pas iu konstatua drogë dhe armë në makinë. Dy prej të rinjve u arrestuan, ndërsa 1 prej tyre u arratis duke përfituar nga errësira.

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, të dielën, në kuadër të dy operacioneve të koduara “Prita” dhe "Silenciatori".

Në operacionet e zhvilluara në Vlorë dhe Fier, të ndaluarve u janë konstatuar drogë dhe armë mbajtje pa leje.

Në lagjen “24 maji” në Vlorë janë sekuestruar 48 kg kanabis dhe 97 fidanë të mbjellë në kubikë gati për kultivim, ndaj edhe u vunë në pranga 36-vjeçari Z.I. dhe 30-vjeçari E.B., të dyshuar si autorët përgjegjës.

Dy shtetasve u janë sekuestruar gjithashtu dy automjete, aparatë celularësh, një peshore elektronike dhe sende të tjera.

Dy të arrestuarit janë proceduar nga prokuroria e Vlorës për veprat penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “kultivim të bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë në qytetin e Fierit një automjet i dyshimtë që qarkullonte në orët e para të mëngjesit të së dielës ka vënë në alarm policinë.

Një makinë tip "Renault" u konstatua në dalje të qytetit nga patrulla e përgjithshme. 3 personat që udhëtonin me mjetin u larguan me shpejtësi sapo panë policinë.

Gjatë ndjekjes nga policia, njëri prej pasagjerëve me iniciale A.P. 29 vjeç u arratis duke përfituar nga errësira, ndërsa u ndaluan shoferi F.K. 22 vjeç dhe pasagjeri tjetër K.Gj. 22 vjeç, të dy nga Durrësi.

Sipas policisë, gjatë kontrolleve në makinë u sekuestrua një pistoletë me silenciator dhe një dozë kanabisi.

Kurse 29-vjeçari A.P. i shpallur në kërkim është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj pronës.

Në banesën e tij uniformat blu sekuestruan 40 doza lëndë narkotike kanabis. Policia dyshon se të rinjtë mund të kishin planifikuar ndonjë ngjarje kriminale.

EMISIONET