Kukësi do të nis një periudhë të rëndësishme me një synim të vetëm, të ringrejë në këmbë një sezon deri më tani dështues. 

Kampionët në fuqi më datë 4 Janar do të udhëtojnë drejt Antalias për të nisur fazën e shkurtër përgatitore. Në qytetin bregdetar të Turqisë ku blutë do të qëndrojë rreth 10 ditë, do të zhvillojnë edhe tre takime miqësore tashme të konfirmuara. 

Sfida kryesore dhe mjaft prestigjoze do të luhet më datë 13 Janar përballë një prej skuadrave më të njohura në Turqi, Feberbaçes. Pavarësisht se është thjesht një ndeshje me nocione stërvitore, mbetet një duel i veçantë për skuadrën shqiptare. Kujtojmë që ekipi nga Stambolli numëron 28 tituj kampion, një rekord absolut në Turqi. 

Më herët kuksianët do të zhvillojnë edhe dy miqësore të tjera. Më datë 8 Janar kundër Kajzerisporit dhe më datë 10 përballë Bursasporit. Kukesi aktualisht është pa trajner, teksa pritet që shumë shpejt të emërohet timonieri i ri në drejtimin e veri-lindorëve, ndërkohë që është konfirmuar Nderim Nexhipi në rolin e drejtorit teknik. 

Ish kapiteni i Partizani është përzgjedhur nga presidenti Gjici për të qënë njeriu i cili duhet ti qëndrojë në krah trajnerët të ardhshëm dhe lojtarëve. Blutë e mbyllën vitin 2017 në pozicionin numër 4, 12 pikë pas Skënderbeut kryesues.


/Ora News.tv/