Kukësi ka shkruar histori në futbollin shqiptar, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që kualifikohet në play-off të garave evropiane. Edhe pse u mposht 1-0 në ndeshjen e kthimit nga skuadra ukrainase Metalurg Donetsk, Kukësi ka arritur të kualifikohet në rundin e ardhshëm, “play-off”, të Europa League. Kukësjanët eliminojnë ukrainasit me rezultat të përgjithshëm 2-1, falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Qemal Stafa të Tiranës javën e kaluar. Vendasit ishin dominues në takim dhe arritën të thyejnë mbrojtjen e Kukësit pas 27 minutash lojë. Skuadra ukrainase ishte shumë sulmuese edhe në pjesën e dytë, duke krijuar shumë raste shënimi, por mbrojtja shqiptare ishte më e kujdesshme në këtë pjesë duke shmangur të gjitha rastet për pësim. Fanelebardhët na Kukësi madje krijuan disa raste të rralla shënimi, kryesisht përmes kundërsulmeve, por pa arritur të gjejnë rrjetin. Kukësi madje e përfundoi ndeshjen me 10 lojtarë, për shkak të dy kartonëve të verdhë të Enco Malindi, kur kishin mbetur 15 minuta deri në fund të takimit. Kjo ishte edhe disfata e parë e Kukësit në gjashtë ndeshje të Europa League. Rivalin e radhës në play-off kukësianët do ta kuptojnë nesër, kur në Nyon të Zvicrës do të hidhet shorti për play-off të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Nënkampioni i Shqipërisë, Kukësi, ka lënë kështu gjurmë në historinë e futbollit kombëtar, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që arrin në play-off të garave evropiane. Rastin të shkruajë histori e pati edhe kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, që arriti deri në rundin e tretë të Ligës së Kampionëve, por që u eliminua nga Shakhter Karagandy. Nderkohe, Federata Shqiptare e Futbollit, nepermjet sekretarit te saj te pergjithshem, lajmeroi se do t'i akordoje Kukesit si shperblim per kalimin e turit shumen e 100 mije eurove.

/Ora News.tv/