Populli i revoltuar i facebookut protestë me nota nacionaliste për shkak të lahutës.

Por lajmi se UNESCO i ka njohur Serbisë lahutën si pjesë të trashëgimisë kulturore jo materiale rezultoi fake news.

Studiuesi, Jaho Brahaj, i ftuar në Ora News tregon ndryshimin mes lahutës shqiptare dhe gusles.

Jaho Brahaj: Pak a shumë lahuta dhe  gusle janë i njëjti instrument, shoqërojnë po të njëjtën vijë melodike. Vetëm se ajo këndohet në gjuhën sllave, ndërsa në Shqipëri këndohet shqip.Dallojnë vetëm nga ana etnologjike dhe e përmbajtjes së tyre. 

Instrumenti i lahutës që kanë shqiptarët ka tek koka në gdhendje të ndryshme objekte mitologjike ose objekte kulti që nuk i ka ajo sllave.Ka dhe të tjera që i ka lahuta shqiptare dhe ajo sllave, si koka e dhisë, gjarpri. Kam parë me shumicë lahuta. Kemi në Shqipëri lahuta që as mendohet që ti kemi. Janë të pakta në numër. Kemi orën.

 Brahaj thotë se në 2012 nisi një punë e mirë nga pala shqiptare për ti paraqitur kërkesë UNESCO-s për lahutën, por që prej asaj kohe dosjen e zuri pluhuri.

Jaho Brahaj: Na erdhi idhshëm dhe e papritur.Këtu ka qenë bërë punë e mirë deri në 2012.  Dosja është përgatitur, me pak gjëra të vogla që kanë ngelur. Ka ardhur në Tiranë Ministri i Kulturës Enver Hoxhaj i asaj kohe dhe është takuar me Ministrin tonë të Kulturës. 

Hoxhaj i ka thënë që do na prisni dhe ne, meqenëse dhe në Kosovë ka. Ministri ka rënë dakord.Në 2012 deri më sot nuk është bërë asgjë. Kjo punë është heshtur, nuk i është propozuar më UNESCO-s. Ka në Ministri një Komitet të Trashëgimisë Kulturore. Është nënvlerësuar.Dosja nuk ka kaluar në Ministrinë e Jashtme nga Ministria e Kulturës. E meta është në disa drejtime në këtë çështje që na kanë goditur.

Studiuesi tregoi për Ora News dhe një fakt interesant ku lahuta shqiptare shitet si instrument kroat.

Jaho Brahaj: Shkova njëherë në Krujë dhe u them a keni ndonjë lahutë të bukur? I mori rusi më thanë. Kishte ardhur një rus, i cili në Krujë dhe Tiranë, kishte blerë 19 lahuta.Nga Rusia ka blerë diku afër Zagrebit një resort jo shumë të madh dhe po bën një kabinet muze të instrumentave muzikorë.Instrumentat e blerë në Shqipëri i ka futur si instrumenta kroatë. Ministrisë së Kulturës i bien shumë detyra që të plotësojë dhe disa gjëra ka lënë pa thënë në atë përgjigje(reagimi i Ministrisë pas lajmit në portale).

Studiuesi Brahaj sheh ngjashmëri të rastit të lahutës me Eposin e Kreshnikëve.

Jaho Brahaj: Dhe në të kaluarën Ciklin e Kreshnikëve ose eposin ballkanik e kanë mbledhur dhe e kanë botuar kur ne nuk kishim asgjë të botuar, të vjelur nga tregues apo këngëtarë shqiptarë.Gjithë bota shkencore njihte Ciklin e Epikës Legjendare të sllavëve.

Por gjithça ndryshoi me botimin "Visarët e kombit", vëllimi më i mirë me ciklin e kreshnikëve shqiptarë.

Jaho Brahaj: Megjithese ishim një shekull e ca mbrapa ballkanikëve, përnjëherë pas 10-20 vitesh fitoi autoritetin e saj në botën shkencore botërore.


/Ora News.tv/