Një ditë para vizitës zyrtare të kryeministrit malazez në Kosovë, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që Demarkacioni të mos jetë në rendin e ditës për seancën e ardhshme parlamentare. Sipas kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duhet arritur konsensus kombëtar përpara se Demarkacioni të jetë në rend dite.

Demarkacioni nuk do të jetë në rend dite për seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Ka qenë ky vendimi i Kryesisë së Kuvendit, që me shumicë votash ka shtyrë shqyrtimin e marrëveshjes së kufirit shtetëror me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deklaroi se vendimi është marrë me qëllim që palët të arrijnë konsensus kombëtar dhe kjo të bëhet nëse ka pjekuri në skenën politike.

Veseli: “Kërkuam me mirëkuptim që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar kur do të jetë një vendimmarrje më serioze. Dëshiroj të përçoj si mesazh se po punojmë seriozisht që të arrijmë një zgjidhje të konsensusit nacional. Jemi duke lëvizur dalëngadalë por sigurt dhe me një vendimmarrje në interes të shtetit.”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e vetmja forcë në Kryesi që nuk ka mbështetur vendimin.

Kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, shprehu keqardhje që çështje të rëndësishme si Demarkacioni vijojnë të zvarriten prej vitesh, pa u adresuar ashtu siç duhet.

Vendimi i Kryesisë vjen një ditë para vizitës shtetërore të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç, në Kosovë.

Kreu malazez do të takohet me homologun e tij Ramush Haradinaj dhe dy Kryeministrat pritet të diskutojnë për mënyrat si mund të zgjidhet kjo çështje.

Kujtojmë se Kosova dhe Mali i Zi arritën një marrëveshje për Demarkacionin e kufirit në 2015, por parlamenti kosovar ende nuk e ka ratifikuar akordin, për shkak të kundërshtive se Kosova humbet territore.

Nga ana tjetër, ratifikimi i marrëveshjes është një nga kriteret që Kosova duhet të përmbushë për të arritur liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

/Ora News.tv/