Një mensë e re është hapur në Tiranë në njësinë 7 pas rikonstruksionit të 3 të tjerave.

Në çeljen e saj mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, të cilët së bashku shërbyen drekën për të moshuarit dhe personat në vështirësi ekonomike të kësaj zone.

Erion Veliaj: "Është traditë e mrekullueshme dhe provon atë që kemi thënë prej kohësh: askush nuk e ka monopol ndihmën, solidaritetin; patjetër që shteti duhet të bëjë të vetën, bashkia po ashtu, ama kur secili merr një pjesë të barrës, gjithçka  bëhet më e lehtë. 

Ndaj jam sot i bekuar, i lumtur dhe shumë i kënaqur që këtë barrë të ndihmës në komunitetet tona po e ndajmë me miqtë e Kryqit të Kuq. Më vjen mirë që keni zgjedhur këtë komunitet, ku vërtet ka nevoja, por ka edhe shumë fisnikëri, shumë dinjitet, dhe në duart e kolegëve dhe të gjithë rrjetit të vullnetarëve jam i sigurt që do të jetë një histori suksesi."

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, sot qyteti ka një rrjet të tërë të mensave dhe qendrave sociale, që janë të gatshme të përballojnë çdo emergjencë dhe nevojë nga personat në nevojë.

Në Tiranë funksionojnë aktualisht 7 mensa sociale që ofrojnë një vakt të ngrohtë për personat në pamundësi ekonomike, ndërsa në to mund të marrin shërbim 800 vetë në ditë nga 150 që ishte në 2015.

/Ora News.tv/