Teksa Kuvendi shpalli pasditen e sotme vakancën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm të përkohshëm, deputeti socialist Alket Hyseni ftoi të gjithë prokurorët që plotësojnë kriteret të aplikojnë.

Hyseni: Ftoj të gjithë prokurorët që plotësojnë kriteret e përcaktuar në ligj, prokurorët më me eksperiencë që ka gjithë sistemi jonë i prokurorisë të aplikojnë menjëherë, që nga dita e sotme ka hyrë në fuqi vendimi, të aplikojnë me anë të një CV dhe kërkesë ku pranojnë kandidimin. Komisioni do të vazhdojë procedurat duke seleksionuar kandidaturat nëse plotësojnë apo jo kritetert, duke bërë seanca dëgjimore dhe pastaj t’ia paraqesim për votim Kuvendit.

Ndërsa opozita e kundërshtoi qartazi këtë proces, Hyseni deklaroi në Ora News se opozita përpiqet të fusë në hulli ngërçi një element i cili nuk ka diskutim.

Hyseni: Është Kuvendi që ndërhyn në këtë rast duke caktuar me shumicë të thjeshtë Prokurin e ri të Përgjithshëm, të përkohshëm. Që të jemi të qartë. Nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryeprokurorit definitiv, është një Kryprokuror i përkohshëm i cili do të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e KLP. Nga pikëpamja juridike nuk ka asnjë diskutim. Opozita përpiqet të fusë në hulli ngërçi një element i cili nuk ka diskutim. Ligji është i shkruar e zezë mbi të bardhë dhe nuk ka fare diskutime për një nivel minimal të juristëve.Nëse nuk aplikohet kjo normë cila ka qenë arsyeja që ligjvënësi e futi këtë dispozitë? Ky ishte rasti.

 Kompetencat e Kryeprokurorit të ri

Edhe kryprokurori aktual që ishte sot me hyrjen në fuqi të dispozitave, kompetencat i ka të cunguara, nuk i ka kompetencat që ka pasur Prokurori i Përgjithshëm para hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Të njëjtat kompetenca që ka sot Prokurori që mbaroi mandatin ato do të ketë dhe Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm që do të emërohet nga parlamenti ditët në vijim. Por opozita ka tjetër kontekst. Ky argument që ngre opozita lidhet me pretendimin e saj se Prokurori i Përgjithshëm do të ndikojë në disa hetime apo do të kapet nga mazhoranca për të ndikuar në disa hetime. Kjo është totalisht e pavërtetë. Prokurori nuk ndikon dot, zot i çështjes është prokurori i çështjes dhe nuk ndikohet dot nga Prokurori i Përgjithshëm dhe as nga prokurori i rrethit, është i pavarur në vendimmarrjen e tij.

Pozicioni i SHBA-BE

Nuk është çështje mbështetje, është çështja e leximit vetëm ashtu siç është shkruar Kushtetuta dhe ligji. Të dy përfaqësitë kanë lexuar Kushtetutën dhe ligjin siç është shkruar.Janë dy partnerë shumë të rëndësishëm dhe dy institucione që e kanë filluar dhe janë akoma në ndjekje të reformës në drejtësi. Nuk është çështje që ne po na mbështet Amerika apo BE. Le të vijë një moment ku të gjitha palët të jenë të përgjegjshme.Janë të ftuar të vinë të diskutojnë, brenda kritereve që përcakton Kushtetuta dhe ligji të bëhen pjesë e këtij procesi dhe gjithë rrugës deri në plotësimin e hapit të rradhës drejt anëtarësimit.

Shorti i KED 

Opozita në terësinë e aksioneve të saj është kontradiktore. Procesi është ashtu siç ligji dhe Kushtetuta e parashikon. Një proces që duhet të kryhej nga Presidenti, i cili ia ka deleguar kryetarit të Kuvendit dhe procedura ka vijuar normalisht. Jemi të bindur që asnjë përpjekje nga çfarëdo faktori apo aktori që mund të vijë nuk mund të pengojë më procesin e konstituimit të organeve të sistemit të drejtësisë. Janë bërë me dhjetra përpjekje të opozitës dhe aktorë të tjerë pas kuintave të opozitës për të penguar procesin, qoftë përmes aksioneve kushtetutese në Gjykatën Kushtetuese, qoftë përmes mekanizmave të tjerë politikë për të sabotuar këtë proces, procesi është i pandalshëm. 

/Ora News.tv/