Kryeministrja e Serbisë fyen liderët e Kosovës

Kryeministrja e Serbisë fyen liderët e Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka bërë një deklaratë raciste në prani të ambasadorit të BE-së, Sem Fabrizi, raporton KTV.

‘Njerëz që kanë dalë nga mali’ ishte shprehja e saj, ndërsa tha se ka edhe terroristë, por që nuk janë dënuar.

Ajo po u referohej krerëve të shtetit në Kosovë të cilët, sipas saj, po bëjnë garë se kush është shovinisti dhe nacionalisti më i çmendur.

“Ajo që mua më së shumti më frikëson, është fakti se kemi punë me llojin më të keq të populistëve, me njerëz të cilët vërtet kanë dalë nga mali. Disa prej tyre janë terroristë që nuk janë dënuar. Kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës. Nuk janë dënuar vetëm për faktin se gjatë atij procesi janë vrarë të gjithë dëshmitarët”, ka thënë Bërnabiç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë e ka konsideruar si një tjetër dëshmi për urrejtjen patologjike të shtetit serb për Kosovën.

Duke folur për Evropën e Lirë, Thaçi ka kërkuar edhe një herë që Brukseli të distancohet nga kjo gjuhë raciste dhe ka shprehur zhgënjimin për heshtjen e BE-së.

Derisa ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pasi muaj më parë e kishte konsideruar kryeministren Brnabiq si një person të kompletuar, duket se ka ndërruar mendje pas komenteve të fundit.

Pacolli ka shkruar se deri sa të jetë ministër i Jashtëm, kryeministrja serbe nuk do të mund të hyjë në Kosovë.

Por, të enjten, Brnabiq e ka përsëritur çështjen e ‘malit’, kur ka thënë se ka folur për liderët politikë të Kosovës që kanë luftuar dhe më pas kanë udhëhequr institucionet.

“Këta njerëz kanë dalë nga mali, sepse kanë dalë vërtet nga mali. Nuk kam shpikur asgjë që nuk është e vërtetë. Nëse për mua dikush thotë se jam raciste, kjo është një deklaratë klishe politike dhe shumë qesharake. Këta njerëz kanë qenë në uniformë, kanë qenë në male dhe direkt prej maleve janë bërë liderë politikë të elitave në Prishtinë dhe i udhëheqin institucionet e përkohshme në Prishtinë. Do të doja që të kishin ardhur nga shoqëria civile, ose të kishin udhëhequr ndonjë organizatë qeveritare, sepse edhe dialogu sot do të ishte ndryshe. Por, nuk mund ta themi këtë. Fjalë për fjalë, ata kanë dalë nga mali”, ka thënë ajo.

Kryeministrja serbe është çuditur pse reagimin e ka bërë Behgjet Pacolli, për të cilin ka thënë se e di që nuk ka dalë nga mali.

Sa i përket vendimit të tij për ndalimin e ardhjes në Kosovë, Bërnabiç ka thënë se do të vijë kur të dojë.

EMISIONET