Kryeministria kopjon shqiponjën e ambasadës së Rusisë!

Kryeministria kopjon shqiponjën e ambasadës së Rusisë!

Një shtet - tre simbole:

Kryeministria kopjon shqiponjën e ambasadës së Rusisë!

Pas Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, që në të gjitha ambasadat e Republikës së Shqipërisë nëpër botë përdor shqiponjën e bardhë, edhe Kryeministria përdor në logon e vet ngjyrat e shqiponjës që përdor ambasada e Rusisë në Tiranë e kudo tjetër, gjithkund ku Federata Ruse ka ambasadat e veta!

Por, në ndryshim nga Ministria për Europën dhe Punët e jashtme që përdor një shqiponjë të bardhë, Kryeministria përdor një shqiponjë gri me konture të bardha!

Në të dy rastet kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit “PER FORMEN DHE PERMASAT E FLAMURIT KOMBETAR, PERMBAJTJEN E HIMNIT KOMBETAR, FORMEN DHE PERMASAT E STEMES SE REPUBLIKES TE SHQIPERISE DHE MENYREN E PERDORIMIT TE TYRE”, në nenin 7 të të cilit thuhet:

“1. Stema e Republikës së Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyrë të kuqe gjaku, me një shqiponjë në qendër, të njejtë me shqiponjën e flamurit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në profil djathtas. Përmasat e shqytit janë në raportin 1 me 1, 5 njësi”.

Pra ligji nuk lejon asnjë ekuivok, asnjë hapësirë që ndokush të përdorë “simbolet” e shijeve të veta, por thotë shqip dhe qartë që shqiponja është e njejtë me shqiponjën e flamurit kombëtar, pasi e ka përcaktuar më parë në nenin 3 se: “Flamuri kombëtar paraqet një fushë me ngjyre të kuqe gjaku, me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, me krahë te hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtatë pendë”.

Po përveç ngjyrës, në kundërshtim me ligjin e sipërcituar është vendosur edhe përkrenarja e Skënderbeut. Ligji e përcakton se duhet vendosur në profil djathtas, ndërsa Kryeministria e përdor të vendosur në profil majtas, për të shkuar më tej me variantin e logos së Presidentit të Republikës, në të cilën, mbi një shqiponjë me krahë të varura dhe jo të hapura anash siç e përcakton ligji, përkrenarja e Skëndërbeut përdoret në pamje ballore!

Një shtet - tre simbole! Dhe të tre simbolet, në kundërshtim me ligjin!

EMISIONET