Kryeministri i ri polak Mateus Moravicki dhe presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në Bruksel. 

Sipas kryeministrit Moravicki, një nga temat kryesore të bisedimit mes tij dhe ekzekutivit të Bashkimit Europian ishte reforma e drejtësisë në Poloni, që përballet me veprime ligjore të paprecedent nga ana e unionit. Moravicki i zgjedhur së fundmi në postin e kryeministrit deklaroi se qëllimi i reformave të propozuara nga Partia Ligj dhe Drejtësi, është që sistemi i drejtësisë në vend të bëhet më efektiv, më i drejtë dhe më objektiv.

Në një deklaratë për shtyp, Komisioni Europian e vlerësoi takimin mes Juncker e Moravickit si miqësor dhe pozitiv. Ndërkohë, dy zyrtarët pritet të takohen sërish në Bruksel në shkurt, me synimin për të bërë përparim në çështjet që shqetësojnë palët.

Para këtij takimi, kryeministri Moravicki bëri një riorganizim të kabinetit të tij qeverisës, duke pushuar disa ministra, lëvizje që shihet si përpjekje për të përmirësuar marrëdhënien me Bashkimin Europian. Lidhja mes palëve është tensionuar së fundmi pas akuzave të unionit për zmbrapsje të demokracisë dhe politizim të gjykatave në Poloni, nisur nga reforma e kontestuar në drejtësi.

/Ora News.tv/