Emigracioni në Itali është bërë pikë përplasjeje mes fushatës së Silvio Berlusconi-t dhe kundërshtarëve të tij politikë. 81-vjeçari miliarder ka prezantuar një plan më të ashpër sa i përket emigracionit, ndërkohë që drejtues të forcave të tjera politike kryqëzojnë ish-kryeministrin për situatën e rënduar të krijuar në vend për shkak të refugjatëve. Përplasjet vijnë pas incidentit të armatosur në qytetin e Maçeratës fundjavën që lamë pas.

Teksa Silvio Berlusconi promovon planet e tij për dëbimin e të paktën 630.000 emigrantëve nga Italia, kundërshtarët e fajësojnë atë për krizën e refugjatëve që ka kapluar vendin në vitet e fundit. Ish-kryeministri komentoi incidentin e fundjavës në Maçerata, ku një mbështetës i ekstremit të djathtë qëlloi dhe plagosi 6 emigrantë në qendër të qytetit.

Në një intervistë për RAI, Berlusconi foli për ankthin social që ka përfshirë Italinë për shkak të shifrave të larta të emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët i konsideroi si një “bombë sociale gati për të shpërthyer”.

“Ne italianët nuk jemi racistë, duam vetëm të jetojmë dhe të punojmë në paqe,” u shpreh ish-kryeministri.

Por kundërshtarët politikë të Berlusconi-t nuk kanë kursyer kritikat për miliarderin 81-vjeçar.

“Nëse emigrantët vijnë në Itali, kjo është sepse dikush i shpalli luftë Libisë dhe kryeministër atëherë ishte Berlusconi,” u shpreh lideri i Partisë Demokratike Matteo Renzi, duke rikujtuar paktin e Bashkimit Europian për refugjatët në vitin 2003, nënshkruar pikërisht nga Berlusconi.

Edhe Lideri i Lëvizjes 5-Yjet Luigi di Maio ju kundërvu ish-kryeministrit. “Berlusconi është përgjegjës për bombën sociale që është emigracioni. Situata ka dalë jashtë kontrollit për fajin e tij dhe të qendrës së majtë.”

Pavarësisht këtyre përplasjeve dhe situatës së krijuar në vend, sondazhet tregojnë se Berlusconi dhe partnerët e tij të ekstremit të djathtë do të grumbullojnë shumicën e votave në zgjedhjet e marsit, edhe pse fitorja e tyre nuk do të jetë e mjaftueshme për t’i siguruar shumicën absolute.

/Ora News.tv/