Krimet e Rënda heqin dorë nga dosja 184

Krimet e Rënda heqin dorë nga dosja 184

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i Dosjes 184, e cila bën fjalë për manipulimet e zgjedhjeve në Dibër në votimet e shtatorit 2016 për kryetarin e bashkisë.

Vendimi për Shpalljen e moskompetencës është marrë në fund të muajit korrik nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila hapi hetimet për këtë çështje tri vjet më parë.

Heqja dorë nga hetimi i dosjes ka ardhur për shkak të kualifikimit të veprës penale duke mos arritur të provohen elementët e grupit kriminal apo të ndonjë vepre tjetër që është në kompetencën e krimeve të rënda.

Burime të prokurorisë thanë për RTV ORA se procedimi është regjistruar në hetim për veprat "Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore" dhe "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", por këto dy krime nuk hyjnë në kompetencën lëndore të prokurorisë së krimeve të rënda.

Nga ana tjetër transferimi i dosjes në Dibër duket se ka nxjerrë një tjetër problem pasi drejtuesja e prokurorisë lokale ka lidhje familjare me njërin prej personave nën hetim. Për këtë arsye pritet të caktohet prokurori që do të ndjekë çështjen ndërkohë që prokuroria e Dibrës ka në përbërjen e saj vetëm tre prokurorë.

Hetimet për zgjedhjet në Dibër filluan me kallëzim të partisë demokratike në datën 6 shtator 2016. gjatë përgjimeve një javore të kryera nga prokuroria u interceptuan biseda mes zyrtarëve lokalë të policisë dhe drejtorisë arsimore por edhe deputetëve të PS që organizonin njerëz për të votuar kandidatin e PS Muharrem Rama, i cili rezultoi fitues përballë kandidatit demokrat Shrefedin Shehu.

Dosja 184 u rikthye në qendër të vëmendjes pasi gazeta gjermane Bild publikoi pjesë nga përgjimet ku mes zyrtarëve të regjistruar ishte edhe kryeministri Edi Rama që përgëzonte stafin e PS në Dibër për rezultatin e arritur.

EMISIONET