KQZ u heq mandatin deputetëve Aqif Rakipi e Gledion Rehovica

KQZ u heq mandatin deputetëve Aqif Rakipi e Gledion Rehovica

Me dyer të mbyllura KQZ vendosi të ndërpresë mandatin deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi dhe deputetit të LSI-së, Gledion Rehovica.

Me 5 vota pro, KQZ pranoi kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme, e cila pas verifikimit të shenjave të gishtërinjve i akuzoi dy deputetët se me emër të rremë janë ndaluar në shtetin italian rreth 20 vite më parë.

"KQZ me 5 vota pro vendos të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të deputetit, për Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi" lexoi vendimin kryetari i KQZ-se, Klement Zguri.

Vendimi  u mor nga anëtarët e PS-së dhe PD-së, ndërsa anëtari i LS0-së, Gëzim Veleshnja nuk mori pjesë në votim.

Gezim Veleshnja: Të vendosësh ndërprerjen e mandatit të kuvendit të Shqipërisë të zgjedhur me votën e popullit pa asnjë vendim siç parashikohet nga ligji nr 138 i 2015, që janë vendime të dhëna nga organi i drejtësisë por në bazë të raporteve policore të paverifikuara ligjërisht është antiligjore. Të penalizosh dy deputetë se para 20 vitesh kanë përdorur emër tjetër komunikimi me policinë nuk është e drejtë.

Reagon Rakipi

Në një reagim për Ora News, Aqif Rakipi e quajti të turpshëm vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit si deputet i PDIU-së. Ai akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se mori një vendim "jo transparent dhe me dyer të mbyllura"

KQZ s'pranon kërkesën e deputetit Aqif Rakipi

Avokatët mbrojtës, Theodhori Sollaku i deputetit Rakipi dhe Ardian Visha i Rehovicës thanë para KQZ se kërkesa e prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe se nuk mund të ndërpritet mandati i dy deputetëve.

Theodhori Sollaku: "Nga aktet prokurorisë rezulton se deputeti Aqif Rakipi nuk ka qenë asnjëherë nga asnjë gjykatë i dënuar, nuk rezulton të ketë pasur masë sigurimi personal apo të jetë shpallur në kërkim ndërkombëtar apo të jetë dëbuar. Prokuroria ka dështuar të provojë se Rakipi ka bërë fshehje të qëllimishme të identitetit tjetër në formular.

Deputeti Aqif Rakipi përmes avokatit të tij mbrojtës kërkoi pezullimin e procedurës administrative në KQZ për ndërprerjen e mandatit deri në një vendim nga Gjykata Administrative e Apelit.

"Në këtë gjykatë deputeti Rakipi ka kërkuar shfuqizimin e të vetmes bazë ligjore për të cilën kërkohet ndërprerja e mandatit. Nëse shfuqizohet ky veprim, atëherë lidhet drejtëpërdrejtë me kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit" deklaroi avokati mbrojtjës Theodhori Sollaku. Por kjo kërkesë e hedhur në votim nga anëtarët e KQZ u hodh poshtë.

Ardian Visha: Rehovica ka qenë student në atë kohë pa asnjë nevojë e jo më domosdoshmëri të të gënjyerit para autoriteteve italiane. Ka qenë legjitim në atë vend. Ka dhënë dhe gjurmët e gishtave dhe nuk i ka fshehur asnjëherë.      

Pas heqjes së mandatit, vendin e Rakipit do ta marrë kandidati i renditur i katërti në listën e qarkut të Elbasanit, Dritan Bici. Ndërkohë vendin e deputetit Rehovica do ta marrë  Silva Caka. 


EMISIONET