Kotzias: S' kemi folur asnjëhere për çamët gjate negociatave me Tiranën

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, është shprehur optimist për zgjeidhjen e çështjeve të mbetura pezull me Shqipërinë. Por Kotzias ka vënë si kusht për këtë që “partitë e opozitës në të dy vendet të mos reagojnë në mënyrë histerike”.

Në një intervistë për portalin euractiv.com, Kotzias iu është referuar gjatë negociatave me Shqipërinë, duke theksuar se janë zgjidhur një sërë çështjesh “të vogla”, “sidomos ato që lehtësojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria”.

“Tani, kemi çështjet e mëdha”, ka vazhduar Kotzias. “Në Athinë u takua komisioni i përbashkët i ekspertëve dhe ne bëmë një hap të madh”, vlerësoi ministri i jashtëm grek.

S'kemi folur per çamët

Shefi i diplomacisë greke ka deklaruar sërish se gjatë negociatave Athinë-Tiranë nuk është diskutuar asnjëherë për çështjen çame.

“Unë jam shumë i pezmatuar me atë që thotë opozita greke. Opozita thotë se ne po diskutojmë për “Çamërinë”. Ne nuk e diskutojmë fare këtë. Në këtë debat (negociatat) nuk ka pasur asnjëherë pyetje për “Çamërinë”, ka theksuar Kotzias.

Kotzias shton se “ka qenë një tjetër qeveri greke që ka diskutuar për herë të parë për “Çamërinë” në fillim të viteve 1990. Ka dëshmitarë që ishin prezentë në ato diskutime dhe sot e paraqesin veten e tyre sikur sapo kanë hyrë në politikë dhe nuk kanë të kaluar”. (Me këtë batutë, Kotzias shënjestron opozitën konservatore greke, që ndodhej në pushtet në fillim të viteve 1990).

Nëse i thuhet PO vetëm një shteti, destabilizim në rajon

Pak orë para se ministrat e jashtëm të BE-së të diskutojnë për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ministri i jashtëm grek deklaron që “përderisa Komisioni Europian përcaktoi këtë verë si afat për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ne duhet ta mbajmë premtimin tonë”.

“Ne nuk duhet ta bllokojmë këtë perspektivë. Kam frikë që po të mos i jepet datë për hapjen e negociatave Maqedonisë Veriore, do të mund të vihej në rrezik përpjekja që bëmë me saktifica të mëdha dhe kompromise nga të dy palët. Më tej, nëse një nga të dy vendet fillon negociatat dhe le të themi, Shqipëria lihet jashtë, kjo do të krijojë një situatë destabiliteti në rajon”, ka theksuar në vazhdim ministri i jashtëm grek.

Kotzias tregoi se "debati nis të hënën në mëngjes (25 qershor) kur do të flasim për Shqipërinë dhe do të vijojnë të martën duke pasur në qendër të agjendës zgjerimin. Mendoj se ka shtete anëtarë të rëndësishme të BE-së që janë në mosmarrëveshje nëse Evropa duhet të vazhdojë të zgjerohet apo të thellohet.

Sa i takon fitores se Erdogan, Kotzias thote: "Shpresojmë që pas fitores së zgjedhjeve, Erdogan do të jetë më pak nervoz".



EMISIONET