Kosova përgëzohet për Specialen

Kosova përgëzohet për Specialen

Ambasadat ndërkombëtare në Kosovë, kanë mirëpritur zotimet e liderëve politikanë për mos shfuqizimin e Gjykaktës Speciale. Përmes një deklarate të përbashkët të Ambasadës franceze, gjermane, italiane, angleze dhe asaj amerikane është bërë e ditur se presin nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre, pasi në këtë mënyrë Kosova do të ketë mbështetjen e aleatëve. 

Deklaratat e liderëve politikanë në Prishtinë se do të heqin dorë nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duket se i ka dhënë një dritë jeshile Kosovës.

Ambasada franceze, gjermane, italiane, britanike dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  kanë dalë në një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës përgëzojnë politikanët kosovarë për iniciativën e tyre dhe u kërkojnë që ta mbajnë premtimin për mos shfuqizimin e Speciales për krime lufte.

"Mirëpresim deklaratat e fundit të udhëheqësve politikë të Kosovës, ku zotohen se do të heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Presim nga liderët politikanë, të mbajnë fjalën e tyre, kurse nga institucionet presim që ta nderojnë këtë gatishmëri. Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës, tani kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia".

Këto 5 shtete po inkurajojnë deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët duket se kanë ndryshuar qëndrim dhe kanë nënvizuar së fundmi se nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk do të funksionojë dhe se sipas tyre Kosova nuk ka frikë nga drejtësia. 

 

 

EMISIONET