Korrigjimi i kufijve? Rama: Nëse bëhet vetëm për njohjen e Kosovës, jam kundër

Korrigjimi i kufijve? Rama: Nëse bëhet vetëm për njohjen e

Kryeministri, Edi Rama, ka folur lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Rama ka ngritur pyetjen se për çfarë duhet të bëhet ky korrigjim.

Rama: Në qoftë se është korrigjim për të qenë prapë siç jemi sot, edhe sikur ata ta njohin Kosovën, edhe sikur të futet në OKB, jam kundër.Nëse bëhet fjalë për të shkuar drejt një procesi tjetër, të çlirimit total, hapjes së perspektives së një bashkimi në procesin drejt Bashkimin Evropian, pa e pasur gjithmonë ketë terrorin mediatik ‘Shqipëri e Madhe’, por që shqiptarët të shkojnë bashkë drejt BE-së, kjo është një temë që duhet të hapet, nuk është tabu.

Kryeministri shpjegoi sesi erdhi deri tek shprehja “gomar” në konferencën me Haradinaj, duke thënë se e ka të vështirë të besojë se dikush mund ta quajë Thaçin tradhtar.

Rama: Unë nuk mendoj që idetë mund të vriten duke u përpjekur të masakrosh atë që i çon përpara. Çdo ide ka legjitimitetin e vet dhe çdokush ka të drejtë të ketë idenë e vet. Duhet të merremi me idetë jo me njëri-tjetrin. Këtu vijmë nga një kulturë barbarie totalitare ku nuk goditet ideja por bartësi i idesë.Nuk mund të ndahemi në besnik dhe tradhtar të atdheut. Dhe Hashim Thaçi tradhtar?! Pasi ka vënë në rrezik veten e vet duke u bërë udhëheqës i luftës çlirimtare ku ka mundur të jetë vetë dëshmor, ka nënshkruar deklaratën e pavarësisë, ka qenë kryeministër edhe është president. Ç’është kjo? Prandaj unë e përdora atë shprehje. Mund të jesh kundër por si është kjo ‘tradhtar’?

Duke folur për procesin e integrimit, shefi i qeverisë shqiptare tha se BE sot po kalon një fazë krize dhe nuk arrin ta mbajë fjalën që jep.

Rama: Kosovës ju tha duhet të bëni demarkacionin me Malin e Zi që të merrni vizat. Të gjithë erdhën këtu, e në Tiranë, thanë: Kalojeni demarkacionin dhe puna e vizave është çështje e kryer. Vendosja e demarkacionit mbi gjitha aspektet tjera teknike ishte diçka si ajo që i themi ne në Shqipëri “thelb mbi bisht” ndërkohë që Serbia jo vetëm që ka marrë vizat por që është ne negociata dhe i janë hapur kapituj të anëtarësimit pa e njohur Kosovën, lërë më ta përcaktojë kufirin.

Sot e gjithë ditën i thuhet Kosovës prisni se janë zgjedhjet në BE, se është Franca, Holanda etj. Edhe Kosova njësoj sikurse Shqipëria ka hyrë në një proces që dinamikat brenda vendeve anëtare po përcaktojnë rrugën e integrimeve evropiane. Kjo është çështje që duhet thënë qartë pavarësisht se ka brenda nesh që i tregojnë përralla popullit të një natyre tjetër për shkak të ambicieve e tyre për pushtet. Por e vërteta është që sot BE kalon një fazë të vështirë krize dhe nuk arrin ta mbajë fjalën që jep.

Deklaratat Rama i bëri gjatë një interviste me gazetarin Baton Haxhiu në Klan Kosova.

EMISIONET