Koreja e Veriut ka festuar 70-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane përmes një parade ushtarake. Por koha e zhvillimit të kësaj shfaqjeje ka sjellë kritika për vendin e izoluar. Parada vjen vetëm një ditë përpara ceremonisë hapëse të Lojrave Olimpike që do të mbahen në Korenë e Jugut.

Një ditë përpara Olimpiadës Dimërore, Koreja e Veriut duket se ka organizuar një paradë modeste ushtarake për të festuar 70-vjetorin e Ushtrisë Popullore Koreane, e themeluar pikërisht më 8 shkurt 1948.

Sidoqoftë, momenti i organizimit të kësaj parade ka tërhequr kritika nga Shtetet e Bashkuara, pasi kjo është hera e parë në 40 vite që eventi vjetor mbahet në shkurt. Në vitet e mëparshme, parada kryesore ushtarake është organizuar në muajin prill.

70-vjetori i themelimit të ushtrisë koreano-veriore përkon me Lojrat Olimpike, të cilat do të organizohen nga data 9 deri në 25 shkurt në qytetin e Pyeongchang në Korenë e Jugut.

Olimpiada do të bashkojë në mënyrë simbolike të dy Koretë, të cilat do të marshojnë nën një flamur në ceremoninë e hapjes.

Eventi sportiv shihet si një shans i mirë që dy vendet por edhe Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë mes tyre.

Megjithatë, agjensia e lajmeve shtetërore KCNA deklaroi se Koreja e Veriut nuk ka ndër mend të takojë zyrtarët amerikanë gjatë Olimpikeve.

Lajmërimi erdhi pas sugjerimit të zv/presidentit amerikan, Mike Pence, se ai ishte i hapur për një takim me zyrtarët koreano-veriorë gjatë eventit sportiv.

Kujtojmë se Pence si edhe shumë liderë të tjerë botërorë do të jenë pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të kësaj Olimpiade.


/Ora News.tv/