Olimpiket bëjnë bashkë Koretë, Veriu vendos dërgimin e skuadrës përfaqësuese

Olimpiket bëjnë bashkë Koretë, Veriu vendos dërgimin e

Koreja e Veriut zyrtarisht do të dërgojë atletë, zyrtarë dhe mbështetës në Olimpiadën e ardhshme Dimërore që do të zhvillohet në Korenë e Jugut. Oferta erdhi gjatë një takimi të rrallë të zhvilluar në kufirin që ndan dy vendet, ku palët gjithashtu diskutuan edhe për të tjera çështje delikate.

Olimpiada Dimërore duket se ka shkrirë akujt në marrëdhënien e tensionuar mes Koresë së Veriut dhe të Jugut, teksa palët kanë zhvilluar një takim të rrallë në të ashtuquajturën Shtëpia e Paqes, në zonën e demilitarizuar që ndan dy vendet.

Kështu, Koreja e Veriut ka lajmëruar zyrtarisht se do të dërgojë një skuadër përfaqësuese në Lojrat Olimpike, një delegacion që do të përfshijë atletë, zyrtarë dhe mbështetës.

Zhvillimet pozitive nuk janë ndalur vetëm këtu. Pala koreano-jugore propozoi gjithashtu organizimin e bashkimeve familjare gjatë Olimpiadës Dimërore, për të gjithë ata persona që janë ndarë nga Lufta Koreane.

Çështja është me ndjeshmëri të lartë për të dy vendet dhe Seuli zyrtar vazhdimisht ka kërkuar organizimin e më shumë bashkimeve familjare.

Tjetër ofertë e ardhur nga Jugu është që atletët përfaqësues të dy Koreve të marshojnë së bashku në ceremoninë hapëse të Lojrave Olimpike.

Seuli madje propozoi vijimin e negociatave mbi çështje ushtarake si dhe heqjen e përkohshme të sanksioneve ndaj Penianit, për të lehtësuar pjesëmarrjen e Veriut në Olimpiadë.

Nuk dihet ende përgjigja e Koresë së Veriut ndaj këtyre ofertave, por ulja në një tryezë të përbashkët bisedimesh pas mëse 2 vitesh është një hap pozitiv.

Zhvillimi përcillet me kërshëri edhe nga liderët botërorë, të cilët presin shenja të çtensionimit të situatës në gadishullin korean, mes shqetësimeve gjithnjë në rritje lidhur me programin bërthamor dhe testimet e vazhdueshme të raketave nga Veriu.

EMISIONET