Vëllai i Novruz Fiqit tregon momentet e fundit të 56 vjeçarit i cili u gjet i pajetë pranë banesës së tij mëngjesin e sotëm.

Ata jetonin në një banesë në lagjen numër 8 të Korçës dhe mbrëmjen e së enjtes (23 gusht) kishte qenë dëshmitar i sherrit mes vëllait të tij dhe autorit por dhe i dhunës fizike që ky i fundit kishte ushtruar.

"Vellai ka qenë i dehur. Pashë qe erdhi Emiljanoja dhe po zihej me vëllanë. Vëllai im nuk ishte njeri që bën sherre. E goditi me grushta dhe shkelma. E tërhoqi zvarrë nëpër shkalle dhe u largua me vrap. Vëllanë e gjeta të shtrirë jashtë pallatit dhe me tha qe jam mirë. Në mëngjes u ktheva ta shikoja dhe e pashë të pajete. Lajmërova policinë." 

Policia ka arrestuar Emiljano Nafizin dhe po e merr në pyetje lidhur me krimin. Në vendin e ngjarjes janë gjetur njolla gjaku, ndërsa ekspertë nga Tirana kanë mbërritur për të bërë autopsinë.

Ata jetonin në gjëndje të keqe ekonomike madje nuk kishin as drita. 

Njoftimi i policise

Më datë 24.08.2018, rreth orës 05:50, në lagjen nr 8 në Korçë, nga vëllai i tij, është gjetur i pajetë në banesë shtetasi N.F, rreth 56 vjeç. Nga deklarimet e marra rezulton se ky shtetas, më datë 23.08.2018, në mbrëmje, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me një person, në hyrjen e pallatit të tij. Pas konfliktit ky i fundit, është larguar për në banesë, ku jetonte me vëllain. Dyshohet se viktima konsumonte pije alkoolike dhe mbrëmjen e djeshme kishte konsumuar alkool. Grupi hetimor dhe ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes."



/Ora News.tv/