Gjergji Thimio, koleksioni i njohur korçar , i vënë disa vite më parë në qendër të vemendjes pas arrestimit për trafik veprash arti denoncon se është kërcënuar me jetë. Në një intervistë për Ora News ai thotë se ka marrë kërcënimet nga persona që njihen si problematikë. Për këtë ai thotë se ka bërë denoncim. Por nga Policia e Korçës thonë se ai ka kohë që ngre pretendime të tilla të cilat pas verifikimeve kanë rezultuar të pavërteta.

Koleksionisti i njohur, Gjergji Thimio, denoncon publikisht se është kërcënuar me jetë nga persona që sipas tij njihen si problematikë në Korçë.

Për Ora News, Thimo tregon se këta persona i kanë shkuar në galerinë e tij dhe e kanë kërcënuar.

Ai thotë se rastin e ka referuar në polici por askush nuk ka shkuar ta marrë në pyetje.

Thimio: Arkitekti i bashkisë bashkë me katër persona të tjerë, Leko Papakozmai, me persona problematikë, duke pirë kafen këtu, pasi janë larguar në mënyrë të shpejtë kanë bërë kërcënime që unë të mbyll gojën, kërcënime për jetën time në prezencë të një miku dhe shokut tim që ka qenë këtu.

Ai thotë se kërcënimet ndaj tij kanë qenë të vazhdueshme që prej kohës kur u vu në qendër të vemendjes pas arrestimit për trafikim të veprave të artit.

Dhe sipas tij e gjitha ndodh pasi ai ka denoncuar kryeministrin Edi Rama dhe Ministra të qeverisë.

Në këto rrethana, koleksionisti Thimio thotë se do vazhdojë të qëndrojë i ngujuar në galerinë e tij, ndërsa kërkon mbrojtje nga SHBA.

Thimio: E kam denoncuar në polici, policia e Korçës nuk ka marrë asnjë masë. Kam bërë tre denoncime sot që ka ndodhur ngjarja. Kjo është situata dhe në fund thashë se po kërcënohem me jetën time. Drejtori i policisë as nuk ka ndërhyrë fare. Unë kërkoj mbrojtjen ligjore të shtetit tim, Kushtetutës sime dhe sidomos të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara se atje ka arritur pika.

Por burime pranë Policisë së Korçës i thanë Ora News se Thimio ka kohë që ngre pretendime të tilla për kërcënime, por nga verifikimet në asnjë rast nuk janë verifikuar si të vërteta.

Pas lirimit nga burgu, Thimio ka hapur një galeri private në pazarin e Korçës.


/Ora News.tv/