Një 32 vjeçar i shpallur në kërkim u arrestua nga policia e Lezhës. Në pranga përfundoi Gentjan alias Gazmir Elezi, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin me vendimin e datës  24 nëntor 2015, ka caktuar masën e sigurimit personal  "Arrest në burg" për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".

Elezi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015, në Mamurras Kurbin, ku dy grupe rivale pasi kanë përplasur makinat kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri nga brenda makinave. gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi Naim Tafa.

Nga përplasja me armë mbeti i vrarë Naim Tafa, i cili kishte vetëm 15 ditë që kishte dalë nga burgu në Itali ndërsa u plagosën 4 persona, Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku.

Sherri mes dy kushërinjve Mamli dhe konflikti me Naimin- Fillimisht Enrik dhe Dorian Mamli, kushërinj mes tyre, janë konfliktuar. Shkak ishte shoqerimi i Dorianit me shtetasin Naim Tafa. Enriku i kishte kërkuar kushëririt te vet, që të mos shoqërohej me Naim Tafën dhe të afërmit e tij pasi  me këta persona ka pasur konflikt të mëparshëm jashtë shtetit.

Doriani rrihet me Enrikun - Por Dorian Mamli, nuk i është bindur kushëririt të tij duke i thënë që i ka shokë dhe do shoqërohet me ta. Ky konflikt verbal mes dy kushërinjve ka agravuar  në konfrontim fizik.

Dorian Mamli ka lëvizur me  makinën tip Audi A4 me targe AA 111 BN në drejtim të banesës së tij dhe është kthyer për tu mjekuar në ambulancën e qytetit Mamurras, ndërsa Enrik Mamli është larguar  me automjetin e tij tip Range Rover me targa AA 481 JT në drejtim të banesës së vet.

Naim Tafa i zë pritë Enrikut- Duket se Doriani do të ketë konsumuar ndonjë bisedë me Naimin pasi gjatë rrugës në hyrje të qytetit Mamurras, pikërisht në hyrje të rrugës për tek Stacioni i Trenit, mjeti tip Benz me targa AA 077 CN, në të cilën ndodheshin Naim Tafa, Arjan Tafa (alias Taulant Bedri), Gazmir Elezi (alias Gentjan Tafa) ka përplasur automjetin tip Range Rover me targa AA481JT të drejtuar nga shtetasi Enrik Mamli.

Personat që ndodheshin në makina hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit-Pas përplasjes, makinat në fjalë kanë ndaluar dhe personat që gjendeshin në to, nga brenda makinave kanë qëlluar me armë zjarri ndaj njëri-tjetrit, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Naim Tafa dhe janë plagosur shtetasit Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku.

Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku kanë qenë jashtë automjeteve.

Sekuestrohen 12 gëzhoja dhe arma e krimit-Në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e shtetasit Enrik Mamli, e cila është gjetur e braktisur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të kryera lidhur me këtë ngjarje, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve të ngjarjes Enrik Mamli si dhe arma e zjarrit e tip automatik mod 56 kal 7.62mm e përdorur prej tij, arme e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu janë marrë e sekuestruar automjetet e përfshira në vendin e ngjarjes, si dhe një sere veprimesh të tjera hetimore.


Të tjerë të arrestuar në Lezhë për armëmbajtje pa leje

Po në Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias Gentjan Tafa, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë.

Arrestimi i Tafës u bë për veprën penale" Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve është edhe shtetasi Eris Gjoni, 20 vjeç, banues në Lezhë.

Gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor.

Ai akuzohet për veprat penale "Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" si dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës".

Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë kryesisht të dyshuar për "Vjedhje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".

/Ora News.tv/