Kontroll për plagjiaturat

Kontroll për plagjiaturat

Përfshirja në skandalin e plagjiaturave të disa zyrtarëve të lartë të qeverisë shtron nevojën për ngritjen e një institucioni që do të mund të kontrollojë Doktoraturat dhe cilësinë e tyre. Aktivistë të Lëvizjes thonë se ky skandal i ka rrënjët edhe më të thella, duke hedhur dyshime se librat që përdoren në Universitete me autorë disa pedagogë, janë gjithashtu të kopjuara.

Përfitimi i titujve shkencorë përmes plagjiaturës shtron nevojën për ngritjen e një mekanizmi kontrolli.

Aktivistë të Lëvizjes për Universitetin të cilët denoncuan rastin e Ministres Manastirliu thonë se në Shqipëri nuk ka një institucion që të kalojë në sitë të gjitha doktoraturat.

Ata shtojnë se ky skandal i ka rrënjët edhe më të thella, duke hedhur dyshime se librat që përdoren në Universitete me autorë disa pedagogë janë gjithashtu të kopjuara.

Redi Muçi: "Nuk jam në dijeni nëse ekziston një institucion, organizëm specifik që merret me këtë punë, i cili do të jepte dhe përkufizimin e asaj çfarë është palgjiaturë. Kjo mbetet në interpretimin e gjithëkujt. Në interpretimin tonë, plagjiaturë është kopjimi fjalë për fjalë, qoftë një fjali apo paragraf, i punës së dikujt tjetër".

Rasti më i fundit i publikuar përfshin në këtë skandal Ministren Manastirliu, e cila dyshohet te kete kopjuar temën e saj të doktoraturës nga një diplomant i Afrikës së Jugut.

Ministrja i përgenjështroi akuzat, por në reagimin e saj në rrjetet sociale ajo që bie në sy përpos faktit që pranon se ka përdorur disa citime nga një tjetër punë shkencore është mbështetja që ka marrë nga institucionet varëse të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ashtu siç lehtësisht mund të verifikohet, këto institucione janë mobilizuar, duke shpërndarë reagimin e Manastirliut në faqet e tyre zyrtare.

EMISIONET