E dini që qitrot (portokalli, limoni, mandarinat, grejpfruti) janë një burim i mirë i vitaminës C, ç’ka përmirëson sistemin imunitar veçanërisht në sezonin e ftohtë?!?

Qitrot ofrojnë edhe një sërë përfitimesh të tjera shëndetësore. Këto fruta të shumëngjyrshme dhe lëngjet e tyre janë të pasura me lëndë të shumta ushqyese, pa përmendur pastaj aromën e tyre fantastike. Ja pse duhet të shtoni më shumë qitro në dietën tuaj:

Janë një burim i mirë i fibrave: Gratë duhet të konsumojnë rreth 25 gramë fibra në ditë, dhe qitrot mund t’i ndihmojnë të merrni sasinë e rekomanduar. Një portokall përmban 2.3 gramë fibra, ndërsa një mandarinë ka 1.6 gramë fibra. Për më tepër, rreth 2/3 e fibrave tek qitrot janë të tretshme, të cilat ulin nivelet e kolesterolit dhe ndihmojnë për të rregulluar nivelet e glukozës. Pjesa e mbetur e fibrave tek qitrot është e patretshme, gjë që ndihmon sistemin tretës. Ushqimet e pasura me fibër, si qitrot, na japin ndjesinë e ngopjes për një kohë të gjatë.

Janë të mirë për zemrën: Qitrot përmbajnë flavonoide, përbërës bimorë që mbajnë zemrën të shëndetshme. Gjatë një studimi të kryer tek disa pacientë të cilët i ishin nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër, hulumtuesit shkencorë zbuluan se grejpfruti i kuq, i pasur me antioksidues, ndihmoi në uljen e niveleve të kolesterolit të ‘keq’ LDL dhe triglicerideve. Vitamina C gjithashtu ul rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Por, nëse merrni statinë për uljen e kolesterolit, nuk duhet të konsumoni grejpfrut, pasi mund të ndërhyjë tek ilaçet.

Kanë indeks të ulët të glicemisë: Qitrot kanë indeks relativisht të ulët të glicemisë, që do të thotë se nuk do të rrisin nivelet e sheqerit ashtu si shumë ushqime të tjera. Ju shpëtojnë nga gripi ose ftohja

E dini tashmë që qitrot ofrojnë një dozë të mirë të vitaminës C (51 mg në një portokall, 38 mg në një grejpfrut dhe 30 mg në një limon). Vitamina C mund të mos parandalojë ftohjet, megjithatë studime të ndryshme kanë treguar se ajo shkurton zgjatjen e simptomave të ftohjes me rreth një ditë, gjë që bën një diferencë të madhe kur nuk ndiheni mirë.

Janë të pasur me kalium: Kur dëgjoni për kaliumin, me siguri mendoni për bananet. Por edhe qitrot gjithashtu janë një burim i mirë i këtij minerali, i cili është i rëndësishëm për rregullimin e lëngjeve, balancimin e mineraleve dhe forcimin e muskujve. Kaliumi mban gjithashtu nën kontroll sasinë e kripës duke ndihmuar trupin të nxjerrë jashtë sodiumin.

Janë hidratues: Ashtu si kastravecët, shalqiri dhe domatet, edhe qitrot kanë një përmbajtje të lartë në ujë (portokalli ka 87% përmbajtje ujë, ndërsa grejpfruti është 88% ujë).  Duke ngrënë ushqime shumë të pasura me ujë, si qitrot, ju ndihmon të qëndroni të hidratuar. Burimi:shendetionline. /ATA/

/Ora News.tv/