Në vitin 2014 në Shqipëri u krijua Shoqata e Konsujve të Nderit me një qëllim të qartë: Përmbushjen më efikase të rolit të tyre në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet vendeve.

Ajo që u vendos si objektiv kryesor rreth 4 vite më parë ishte promovimi, lehtësimi dhe koordinimi i punës me autoritetet shqiptare dhe institucionet e huaja për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në lobimin për çështjet me interes për Shqipërinë me shtetet që konsujt e nderit përfaqësojnë dhe në zhvillimin e mëtejshëm të diplomacisë ekonomike.

Një qasje aktive me evenimente dhe forume të shumta jo vetëm në fushën e diplomacisë, por edhe në sektorë të tjerë me interes, për të fuqizuar marrëdhëniet mes shteteve që konsujt e nderit përfaqësojnë.

Në kuadër të aktiviteteve, Shoqata e Konsujve të Nderit në Shqipëri, nisi traditën e organizimit vjetor të një tryeze diskutimi mes Konsujve të Nderit, institucioneve, Trupit Diplomatik, sipërmarrësve, etj., për rolin aktiv që mund të kenë Konsujt e Nderit dhe ndikimin pozitiv në zhvillimin e Shqipërisë në fushat kyçe të saj.

Z. Ylli Ndroqi:  Konsujt e Nderit kanë një rol kyç për të qëndruar urë lidhëse mes kombeve dhe për të zhvilluar më tej edhe diplomacinë ekonomike.

Tryeza e parë e diskutimit u fokusua tek rëndësia, nxitja, promovimi dhe lehtësimi i investimeve të huaja në Shqipëri përmes diplomacisë ekonomike. Me praninë e ministrave, investitorëve kryesorë në vend, Konsujve dhe ekspertëve më të mirë të ekonomisë në Shqipëri, u diskutua për përmirësimin e klimës ekonomike në Shqipëri dhe për të zhvilluar diplomacinë ekonomike në fusha kyçe si: energjia, transporti, etj.

Min. Damian Gjiknuri: Pa stabilitet financiar të sektorit, investimet në energji janë vetëm premtime në letër dhe nuk do ndodhin kurrë.

Një nga synimet kryesore të kësaj tryeze ishte dhe përfshirja dhe bashkëveprimi të të gjithë faktorëve kyç të diplomacisë ekonomike. I pranishëm në tryezë ishte edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Z.Najjelb Albader që renditi propozimet konkrete për diplomacinë ekonomike në Shqipëri dhe bashkëpunimin e nevojshëm mes Konsujve të Nderit dhe Trupit Diplomatik për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi. Një vit më pas Shoqata e Konsujve të Nderit do të mblidhte sërish aktorët kryesorë të qeverisë, biznesit dhe diplomacisë në një bashkëpunim real të tyre në thithjen e investimeve dhe nxitjen e punësimit përmes diplomacisë ekonomike. Ministrat Arben Ahmetaj dhe Blendi Klosi e konsideruan partneritetin me Shoqatën e Konsujve si prioritar dhe me rëndësi për thithjen e investimeve të huaja.

Min. Klosi: Kemi një marrëveshje të shkruar me shoqatën tuaj për të pasur mundësi që bashkëpunimi që ne realizojmë apo pikat ku ne bashkohemi në këtë marrëveshje të përbashkët të jenë gjëra publike, të jenë të monitoruara. Mundësia që ju mund të jepni, me njohjet që ju keni dhe që shkollat tona të arsimit të mesëm profesional të jenë shkolla të modeleve të caktuara nga vendet që ju përcaktoni.

 I pranishëm në tryezë ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, i cili kërkoi përmirësim të infrastrukturës nga Shqipëria nëse kërkon të rrisë investimet e huaja në vend si dhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm politik e të sistemit të drejtësisë. Në tryezë, ambasadori i Bullgarisë Dimitar Arnautov, përfaqëësues të komunitetit të biznesit dhe të institucioneve dhanë opinionet e tyre mbi rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria për të shëruar këtë plagë të mirëqënies sociale: papunësinë. Tryeza e tretë e organizuar nga Shoqata e Konsujve synonte kthimin e Shqipërisë në destinacion turistik, jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe më gjerë, si dhe nxitjen e investimeve konkrete në këtë sektor përmes diplomacisë ekonomike. Nën drejtimin e presidentit Ndroqi, konferenca mundësoi një dialog frytdhënës me praninë e ministrave përkatës, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të ekonomisë, si dhe artistë si ambasadorë të kulturës. Të ftuar në panel ishin edhe: ambasadori i Austrisë Johan Satler dhe i Sllovakisë që përcollën mesazhe të qarta për zhvillimin e turizmit.

Min. Mirela Kumbaro: Unë e shoh si një urë komunikimi të jashtëzakonshme për të shpërndarë në vendet që ju përfaqësoni, një informacion që ndoshta nuk shkon gjithmonë, lehtësisht, në rrugë burokratike të diplomacisë profesionale.

Znj.Milva Ikonomi: Profilet e investimeve janë bërë. Jemi në betejën për të kërkuar investitorë.

Sot zhvillohet tryeza e katërt e kësaj nisme të rëndësishme me fokus "Investimet në energjitikë". Sërish me përfaqësues të qeverisë, Trupin Diplomatik në Shqipëri, ekspertë dhe të gjithë faktorët kryesorë, në përpjeke për të nxitur përmes diplomacisë ekonomike investimet në fushën e energjisë, por edhe për të fuqizuar konceptin e energjisë së qendrueshme, sipas shembullit të vendeve më të zhviluara të botës.

/Ora News.tv/