Një muaj pas dekretit të Kreut të Shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit konstituohet komisioni i parë hetimor në historinë e pluralizimi për shkarkimin e Presidentit.

 Ilir Meta do të hetohet për një periudhë 3-mujore nga kryetari Ulsi Manja dhe 8 deputetë të tjerë, 4 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita për shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas kërkesës së bërë nga 55 deputetë socialistë.

Manja: Komisioni ka për qëllim të hetojë njohjen dhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga Presidenti lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore në përputhje me parimet kushtetuese. Komisioni ka për objekt dhe detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga Presidenti gjatë ushtrimit të kompetencave lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Të verifikojë hartimin e akteve dhe efektet e tyre juridike në raport me kompetencat e Presidentit të përcaktuara në Kushtetutë. Të vertifikojë pasojat e akteve në raport me institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, KQZ apo gjykatat.Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin nga detyra të Presidentit konstatohet se sjellja dhe qëndrimet e presidentit në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese në lidhje me procedurat e ndjekura për zhvillimin e zgjedhjeve vendore presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra.

Deputeti socialist, Bashkim Fino, u shpreh se në Gjykatën Kushtetuese nuk ka asnjë ankimim për dekretin e Kreut të Shtetit dhe sipas tij afati 30 ditor ka përfunduar.

Klotilda Bushka do të jetë sekretare e komisionit hetimor, ndërsa Halit Valteri dhe Alket Hyseni do të jenë relatorët e çështjes.

Nëse komisioni hetimor do t’i kërkojë Parlamentit shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, do të bëhet Presidenti i parë i shkakrkuar nga parlamenti, pavarësisht se fjalën e fundit për largimin e tij nga ky post duhet ta japë Gjykata Kushtetuese.

Kryetar Komisionit Ulsi Manja

Zëvendëskryetar Alban Zeneli

Anëtarë të Komisionit janë deputetët Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Bashkim Fino, Alket Hyseni, Adriartik Alimadhi, Halit Valteri dhe Krenar Ruçi.

Anëtarë zëvendësues janë Adnor Shameti dhe Spartak Braho nga PS, Arlind Çarçani nga grupi Demokrat dhe Zef Shtjefni nga grupi Partitë e Djathta.



/Ora News.tv/