Konfirmohet në detyrë drejtuesi i prokurorisë së Tropojës

Konfirmohet në detyrë drejtuesi i prokurorisë së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë këtë të enjte (16 maj) drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Artan Shtrungza.

Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Pamela Qirko anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Shtrungza u përball të hënën me procesin e rivlerësimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme me profesionalizimin, të cilat u pranuan edhe prej vetë prokurorit që u justifikua se gabimet kishin ndodhur për shkak të mbingarkesës në punë.

Shtrungza e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore ndërkohë që në vitin 2010 ai është promovuar si prokuror po në të njëjtin rreth gjyqësor. Që nga viti 2012, Shtrungza ka mbajtur për periudha të ndryshme pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Tropojës.

Relatorja e çështjes, Genta Tafa (Bungo) u shpreh se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, e ka vlerësuar pozitivisht prokurorin Artan Shtrungza lidhur me kriterin e pasurisë.

KPK ka gjetur të saktë konstatimet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për përshtatshmërinë e prokurorit Artan Shtrungza për vazhdimin e detyrës, pasi nuk janë identifikuar kontakte të papërshtatshme.

EMISIONET