Një ditë pasi Komisioni i Ekonomisë rrëzoi dekretet e Presidentit Meta për koncensionin e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, kryetari i Partisë Demokratike ka shpërthyer në akuza, duke e quajtur Kuvendin landfillin e Republikës. Për këtë Basha kërkoi vëmendje, në kushtet kur sipas tij bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Deklaratat u bënë pas takimit me Monika Kryemadhin, ndërsa dy politikanët thanë se protestat kundër qeverisë do të vazhdojnë.

Opozita do vazhdojë aksionin me protesta deri në largimin e Kryeministrit Rama. Për të koordinuar axhendën, kryedemokrati Basha zhvilloi një takim me numrin një të LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe në përfundim patën edhe një komunikim për mediat.

Basha kërkoi vëmendjen e të gjithëve për atë që e quajti megakorrupsion me koncensionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Basha: Skandali që ka plasur me dy koncesionet e hajdutërisë, të ashtuqujtura PPP, Milot-Balldre dhe Vlorë-Orikum, kërkon vëmendjen maskimale të mundshme edhe nga ju si gazetarë. Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Tek ajo e Milot-Balldre duan të bëjnë shqiptarët të paguajnë një çmim deri në 5 herë më të lartë se çmimi real.Të vjedhin me një të rënë të lapsit mbi 200 milion euro nga taksapaguesit shqiptarë. 

Një shumë jo e vogël planifikohet të vidhet në Vlorë-Orikum.Ka një analizë të plotë të dëmit ekonomik që kjo i sjell buxhetit të shtetit, në momentin që është bërë analiza është përshpejtuar rrëzimi i dekreteve të presidentit Meta dhe futja e përshpejtuar e këtyre dy koncesioneve në atë që tashmë është fare qartë noteri i hajdutërisë, landfilli i Republikës. Ky (Rama)nuk heq dorë nga grabitja dhe vjedhja, nuk ka asnjë plan tjetër përveçse të vjedhë sa të mundet deri në çastin që ndodhet aty.

Së dyti, ndërtesa që ndodhet prapa selisë sonë (Kuvendi) që duhet të ishte vendi ku kontrollohet, frenohet dhe kufizohet pushteti është kthyer në një noter të hajdutërisë. Kësaj i thonë vjedhje me ligj, ligji po bëhet për të vjedhur, po bëhet që ata që kanë firmosur këtë vjedhje të mos shkojnë para drejtësisë. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë as zhvillim, as mirëqënie, as punësim, por vetëm vjedhje dhe grabitje. Sa më shpejt të largojmë këtë kryeministër hajdut aq më mirë do të jetë për shqiptarët.

Basha tha se ky është një nga shqetësimet kryesore të kësaj jave dhe opozita është e vendosur ta denoncojë deri në fund këtë aferë sikundër të mbajë shënim këdo që bëhet pjesë e kësaj skeme pandëshkueshmërie dhe vjedhje. qofshin këta pseudeoputetë, prokurorë apo punonjës të drejtësisë.

Basha: E sigurt është që nuk kanë për ti marrë dot këto para të shqiptarëve, një nga zotimet kryesore të opozitës është anulimi i çdo pseudo PPP-je dhe koncesioni korruptiv, ndjekja e parave.

Qytetarët janë në protestë çdo ditë tha znj. Kryemadhi, duke sjellë në vëmendje qytetarët që mbushin ujë me bidona. Ajo nënvizoi se arroganca politike tingëllon aktuale edhe pas 15 vitesh.

Takimi mes dy liderëve të opozitës u bë në të njëjtën ditë kur në Tiranë ndodhet zyrtari i DASH, David Kostelancik.


/Ora News.tv/