Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane Tiranë organizojnë të premten e 26 janarit një koncert simfonik. Me pjesmarrjen e veçantë te dirigjentit Mateusz Moleda por edhe solistit Marin Gjollma në Universitetin e Arteve do të interpretohen veprat e kompozitorëve të njohur gjerman.

Gjermania është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në politikë, por kontributi i saj është po aq intensiv edhe në art e kulturë.

Me mbështetjen e Ambasadës Gjermane, në Universitetin e Arteve do të zhvillohet koncerti simfonik me pjesëmarrjen e dirigjentit të njohur gjerman Mateusz Moleda.

31-vjeçari, repertori simfonik i të cilit përfshin një shumëllojshmëri të veprave dhe stileve muzikore, e sheh bashkëpunimin me orkestrën  e RTSH një shkëmbim të vlefshëm eksperiencash.

Mateusz Moleda: Është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe mes kolegëve ka ekzistuar një frymë pozitive. Muzika është një gjuhë universale kështu që ne kemi komunikuar lehtësisht. Më ka lënë përshtypje disiplina e artistëve.

Pianisti Marin Gjollma thotë se koncerti do të përbehet nga tri pjesë ku do të luhen veprat e kompozitorëve të njohur gjermanë.

Marin Gjollma: Fillojmë më një overturë e cila është shkruajtur për një melodramë të shkrimtarit të njohur, Viktor Hygo dhe më pas vazhdojmë me koncertin për piano dhe orkestër të Ludëig Van Bethoven, numër 4 solmaxhor dhe më pas simfonia e mrekullueshme e Shumanit.

Dirigjenti Moleda i sheh qytetarët shumë pranë artit dhe kulturës teksa shton se do të largohet prej Shqipërisë me shumë mbresa për mikpritjen, klimën dhe ushqimin.

Mateusz Moleda: Në Shqipëri kultura vlerësohet dhe unë kam parë që investohet shumë që ajo të jetë në cilësinë më të lartë të mundshme. Si kujtim do të marr bashkëpunimin fantastik, klimën e ngrohtë, ushqimin fantastik dhe padyshim pozitivitetin e sinqeritetin e njerëzve.

Koncerti do të zhvillohet mbrëmjen e 26 janarit në Universitetin e Arteve, ndërsa hyrja do të jetë e lirë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike.

/Ora News.tv/