Ashtu si kishin paralajmëruar, deputetët e PS-së në Komisionin e Ekonomisë rrëzuan kandidaturën e Bahri Shaqirit për kryetar të KLSH-së. Arben Ahmetaj është shprehur se emri i paraqitur prej Presidentit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në Kushtetutë për të drejtuar këtë institucion. Ndërsa vetë Shaqiri ka nënvizuar se ka eksperiencën dhe plotëson kriteret për të drejtuar institucionin.

Kandidati i propozuar prej Presidentit në krye të KLSH-së, Bahri Shaqiri, ka paraqitur në Komisionin e Ekonomisë strategjinë e tij në auditimin e financave të shtetit.

Ish-kreu i SHISH vuri theksin te eksperienca e tij si dhe në vullnetin për të luftuar korrupsionin.

Madje ai theksoi se plotëson kriteret e përcaktuara në Kushtetutë për të drejtuar këtë institucion.

Bahri Shaqiri: Detyrën e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të cilën unë jam propozuar për tu zgjedhur e konsideroj si përgjegjësi shumë të madhe që përputhet plotësisht me profesionalizimin tim dhe me ambicien për të vazhduar kontributin në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm edhe të këtij institucioni në dobi të vendit me qëllim optimizimin e menaxhimit të parasë publike. Parandalimi i korrupsionit dhe abuzimet me fondet publike përbëjnë misionin themelor të këtij institucioni.

Pavarësisht vlerësimit të figurës së Shaqirit, prova në Komisionin e Ekonomisë është cilësuar e pakaluar nga Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj: Nuk rezulton që kandidati gjatë gjithë karrierës së tij të ketë përvojë profesionale në fushën financiare dhe veçanërisht në çështjet e audimit të jashtëm.
Pro Shaqirit janë shprehur vetëm dy deputetët e LSI-së që ishin prezent në Komision.

Madje ata deklaruan se vendimi ishte paravendosur.


/Ora News.tv/