Komisioni i Apelit të UEFA-s lë në fuqi dënimin për Skënderbeun
Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin që Komisioni i Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s dha për Skënderbeun, ku korcarët mbeten të përjashtuar me 10 vite nga Kupat e Europës si dhe 1 milionë euro gjobë.
Skënderbeu akuzohet nga UEFA për trukimin e 50 ndeshjeve në kompeticionet europiane Champions League dhe Europa League si dhe në kampionatin shqiptar e Kupën e Shqipërisë.
As rrëfimet e Shkëmbit, Latifit, Berishës, Nimagës dhe Lilajt, nuk ia kanë ndryshuar mendjen UEFA-s të cilët janë të bindur për dënimin e klubit korçar. I vetmi shpëtim për Skënderbeun mbetet CAS-i.
Klubi korcar ka reaguar në lidhje me këtë vendim nëpërmjet një postimi në Facebook. Ja çfarë shkruan:
Deklaratë për shtyp!
Sot, më datë 4 Maj 2018, Komisioni i Apelit i UEFA-s shpalli vendimin mbi ankimin e paraqitur nga KF Skënderbeu.
Siç ishte paralajmëruar dhe pritej, asnjë ndryshim nga vendimi pararendës nuk është bërë nga Komisioni i Apelit, pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga pala jonë në seancën dëgjimore të datës 26 Prill 2018.
KF Skënderbeu bën me dije se, brënda afateve ligjore, do të paraqese ankim në CAS, ku do të parashtrohen të gjitha faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s. Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues.
KF Skënderbeu është i sigurt në pafajesinë e plotë të kujtdo lojtari apo zyrtari të klubit. Për këtë, të gjitha rrugët e mundshme ligjore do të ndiqen për mbrojtjen e integritetit dhe arritjeve tona historike.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Zyra për Shtyp
KF Skënderbeu