Skandali i Facebook, Komisioni Europian paralajmëron Shtetet e Bashkuara për gabimet

Skandali i Facebook, Komisioni Europian paralajmëron Shtetet e Bashkuara

Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë rregullat që ruajnë privatësinë e përdoruesve të platformave sociale. Është ky paralajmërimi i Komisionit Europian, pas skandalit më të fundit të Facebook lidhur me keqpërdorimin e të dhënave të rreth 50 milionë amerikanëve për qëllime elektorale.

Komisioni Europian ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të përforcojnë ndjeshëm kontrollin shtetëror të të dhënave. Vera Jourova, Komisionere e BE për Drejtësinë, deklaroi se rregullat në SHBA janë “më të dobëta” se ato në unionin europian, ndaj nevojitet një fuqizim i mënyrës si Amerika kontrollon dhe rregullon firmat dixhitale. Komisionerja e sheh skandalin më të fundit të keqpërdorimit të të dhënave të përdoruesve të Facebook si një “alarm zgjimi” për t’u shqetësuar më shumë sa i takon rregullave të privatësisë.

Më herët gjatë kësaj jave, Jourova e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave në Komisionin Europian, udhëtoi drejt Uashingtonit për t’u takuar me rregullatorët amerikanë. Zyrtarja europiane deklaroi se shumë persona, qofshin ata zbatues të ligjit, rregullatorë ose përdorues të thjeshtë të Facebook, janë tronditur nga skandali më i fundit, ndaj do të jetë interesante të shihet nëse SHBA do të ndërmarrë rregulla më strikte në të ardhmen.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave përqark Atlantikut, të quajtur “Mbrojtja e Privatësisë”, që sipas komisioneres Jourova, është vazhdimisht nën shqyrtim. Ndërkohë në muajin maj, blloku europian do të miratojë një forcim të rëndësishëm të ligjeve të mbrojtjes së të dhënave në Europë.

EMISIONET