Kombinati "Trepça", së shpejti shoqëri aksionare

Kombinati "Trepça", së shpejti shoqëri aksionare

Autoritetet kompetente në Kosovë thonë se janë në grumbullim e sipër të të gjitha dokumenteve të nevojshme për të bërë regjistrimin e kombinatit metalurgjik "Trepça" si shoqëri aksionare.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Andaj, dokumentacioni për regjistrimin e kësaj ndërmarrjeje po kërkohet edhe nga pjesa tjetër e "Trepçës" në veri, informon REL

Regjistrimi i "Trepçës", pason miratimin nga Kuvendi i Kosovës javë më parë të statutit të “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të Grevës së Minatorëve në Stantërg, ka kërkuar që sa më shpejt të dorëzohen të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim të “Trepçës”.

Ai ka kërkuar edhe nga "Trepça" në veri që ta përgatisë të gjithë materien e nevojshme për të gjithë punëtorët në mënyrë që të drejtat e aksionarëve të zbatohen.

Lidhur me grumbullimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin e “Trepçës”, kryetari i Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes, Ardian Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se planifikojnë që gjatë javës tjetër të grumbullohet i gjithë dokumentacioni, i cili mundëson pastaj regjistrimin e ndërmarrjes si shoqëri aksionare.

“Nuk ka asnjë problem në grumbullimin e dokumenteve, jemi në proces të grumbullimit të këtyre dokumenteve sipas kërkesave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve. Deklarata e kryeministrit i ka paraprirë asaj që të ketë një bashkëpunim më të shpejtë dhe të përfundohet më shpejt procesi pasi që është një interes i Qeverisë, si dhe është interes i punëtorëve që të bëhen pjesë e aksioneve ashtu siç parashihet me Ligjin për ‘Trepçën’”, thotë Syla.

Ai thekson se regjistrimi i "Trepçës" ka specifikat e veta, pasi që për herë të parë në Kosovë është një kompani e cila regjistrohet si shoqëri aksionare ku një pjesë e aksioneve janë të Qeverisë dhe pjesa tjetër e punëtorëve, në këtë rast minatorëve të "Trepçës" informon REL

EMISIONET