Shumë shpejt masterplani për bazën e Kuçovës, Xhaçka fton Gjeneralin për fluturimin e parë

Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, Gjenerali Tod Wolters, vizitoi sot vendin tonë në kuadër të fillimit të zbatimit të paketës së NATO-s për bazën ajrore të Kuçovës

Ai u prit në një ceremoni zyrtare nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe më pas zhvilloi një takim me Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Pas përfundimit të pritjes me truprojë nderi të gjeneral Wolters, mbi Ministrinë e Mbrojtjes u kryen fluturime të avionëve të NATO-s.

Në konferencën e përbashkët për mediat, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj.

Xhaçka: Kjo vizitë vjen në 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës dhe lidhet me investimin e NATO-s në bazën Ajrore të Kuçovës gjatë 5 viteve të ardhshme.Baza Ajrore e Kuçovës do të jetë së shpejti një bazë e NATO-s dhe Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj. Investimi i NATO-s në Kuçovë është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë kombëtare por edhe atë rajonale.

Sakaq Xhaçka njoftoi se brenda pak muajsh do jetë gati master-plani që i hap rrugë fillimit të punimeve në terren.

Xhaçka: Për të konfirmuar seriozitetin e qeverisë shqiptare në këtë projekt, Ministria  e Mbrojtjes ka autorizuar Agjencinë e NATO-s për Prokurorimet dhe Mbështetjen - NSPA, për hartimin e masterplanit për bazën e Kuçovës sipas standardeve të kërkuara nga aleanca.Ky masterplan i hartuar nga Agjencia e specializuar e NATO-s do të jetë gati brenda pak muajsh, duke i hapur rrugë fillimit sa më shpejt punimeve në terren që sipas afateve të parashikuara mund të jetë dhe në krye të këtij viti. Demonstrimi që pamë sot nga disa nga komponentët ajrorë të NATO-s, i pari në vendin tonë, tregon qartazi fuqinë teknologjike më bashkëkohore të Aleancës në shërbim të mbrojtjes kolektive, të vlerave dhe parimeve të saj.

E kur baza e Kuçovës të jetë gati, fluturimin e parë ia rezervoi Gjenerali të NATO-s që na nderoi vizitën, Tod Wolters.

Xhaçka: Gjeneral faleminderit për vizitën tuaj dhe ju jmirëpresim që fluturimin e parë ta bëni nga baza e Kuçovës këtu në Shqipëri, tashmë një aset i shtuar i Aleancës.


EMISIONET