Kokëdhima: Jo kryeprokuror të PS-së dhe PD-së, ai të caktohet me short

Kokëdhima: Jo kryeprokuror të PS-së dhe PD-së, ai të

Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, propozoi që prokurori i ri i përgjithshëm të mos jetë një zgjedhjeve e PS-së dhe e PD-së, siç kanë bërë në të shkuarën dhe duan të bëjnë edhe tani, por ai të zgjidhet me short nga prokurorët aktualë. Në një status në Facebook, Kokëdhima përshëndeti deklaratat e ambasadorit Lu për arrestimin e politikanëve shqiptarë të lidhur me krimin, por theksoi se disa gjëra elementare duhet t'i marrë përsipër t'i bëjë vetë klasa politike shqiptare. Kokëdhima propozoi që kryeprokurori i ri i përkohshëm të zgjidhet me të vetmen mënyrë demokratike dhe asnjanëse që mund të ekzistojë në kushtet e Shqipërisë, nëpërmjet shortit.

Statusi në Facebook

Jo kryeprokuror të PS-së dhe PD-së, ai të caktohet me short

Dua të përshëndes ardhjen e dy përfaqësuesve të FBI-së që do të na ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar si dhe deklaratat pa dorashka të ambasadorit Donald Lu për nevojën e arrestimit sa më parë të politikanëve shqiptarë të lidhur me krimin e organizuar. Por ndihma e paçmuar që na japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të zëvendësojë disa gjëra elementare që duhet t'i marrë përsipër t'i bëjë vetë klasa politike e këtij vendi.

Në fillim të dhjetorit, Shqipëria rrezikon të gjendet në një situatë ku Prokurorit të Përgjithshëm do t’i ketë mbaruar mandati dhe asgjë nuk është parashikuar deri tani për të mbushur vakuumin që do të krijohet pashmangshmërisht në krye të prokurorisë. Do të bëhemi gazi i botës dhe do t'u japim po aq gëzim kriminelëve. Në momentin kur kemi nevojë më shumë se kurrë për një organ akuze në gadishmëri të plotë, politika shqiptare shfaqet në sinkron për ta politizuar këtë moment të rëndësishëm për institucionet e vendit dhe për ta sabotuar prokurorinë. Rilindja e kriminalizuar deri në palcë përpiqet nga ky rast i artë për të vendosur në krye të prokurorisë një mëkëmbës të sajin dhe ta çojë më tutje përpjekjen e pashembullt në histori të Ramës për të përqendruar në dorën e tij të gjitha pushtetet.

PD-ja, nga ana tjetër, gjithmonë është përpjekur ta kontrollojë dhe ta përdorë drejtësinë për të mbrojtur peshqit e saj të mëdhenj dhe zyrtarët e saj të përfshirë në krime dhe në korrupsion. Sot ajo nuk është e besueshme në propozimet e saj edhe sikur ato të bëhen pa prapavijë politike.

Në të vërtetë Rilindja dhe PD-ja janë njësoj, janë bashkë, më saktë janë një. Ata shahen me libër shtëpie, por janë në marrëveshje, mbrojnë njëri-tjetrin dhe të dy palët nuk e godasin njëri-tjetrin, nuk i cenojnë peshqit e mëdhenj të të dy palëve. Ata janë të paprekshëm.

ZGJIDHJA propozon që kryeprokurori i ri i përkohshëm të zgjidhet me të vetmen mënyrë demokratike dhe asnjanëse që mund të ekzistojë në kushtet aktuale të Shqipërisë, nëpërmjet shortit. Të zgjidhet me short një nga prokurorët aktualë të Prokurorisë së Përgjithshme në postin e kryeprokurorit. Çdo zgjedhje e PD-së dhe e Rilindjes do ishte e pabesueshme, do ishte një provokacion i ri për opinionin publik të tejlodhur shqiptar.

ZGJIDHJA ju fton të kuptoni se konjuktura e partive politike që sundon sot parlamentin dhe institucionet e shtetit, e cila ka qeverisur vendin për gjithë këto vite, nuk ka për qëllim të bëjë drejtësi, por vetëm të pengojë drejtësinë!

#ZgjidhjaPërDrejtësi

EMISIONET