Klubi shumësportësh "Partizani" dhe "Studenti" i kalojnë në varësi Bashkisë

Klubi shumësportësh "Partizani" dhe "Studenti" i

Klubi shumësportësh "Partizani" dhe "Studenti" do të menaxhohen nga Bashkia e Tiranës. Është ky vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave që në njoftimin e bërë publik ditën e sotme ka vendosur:

Vendimi i plotë:

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e varësisë së klubit sportiv shumësportësh “Partizani” dhe klubit sportiv “Studenti” nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te Bashkia Tiranë.

2. Buxheti i miratuar për vitin 2018 për klubin sportiv shumësportësh “Partizani” dhe klubin sportiv “Studenti”, bashkë me asetet në përdorim, transferohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te Bashkia Tiranë. Transferimi i fondeve bëhet në formën e transfertës së kushtëzuar.

3. Numri i punonjësve të klubit shumësportësh “Partizani” dhe klubit sportiv “Studenti”, në total 26 veta, transferohet te Bashkia Tiranë.

4. Vendimi nr.312, datë 15.5.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e varësisë së klubit sportiv shumësportësh “Partizani” nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe çdo akt nënligjor i miratuar për këto klube, shfuqizohen.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkia Tiranë, klubi shumësportësh “Partizani” dhe klubi sportiv “Studenti” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

EMISIONET