Gary Cohn, këshilltari kryesor i ekonomisë i presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Shkak për këtë largim mendohet të jetë plani i presidentit për vendosjen e tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit. Ndërkohë, sipas vetë Trump, largimi i Cohn do të pasohet nga të tjera ndryshime në Shtëpinë e Bardhë.

Një tjetër zyrtar i lartë i administratës Trump ka paraqitur dorëheqjen. Bëhet fjalë për Gary Cohn, këshilltarin e lartë të ekonomisë, ish-president i bankës Goldman Sachs, i cili i bashkohet valës së largimeve nga skuadra e Donald Trump.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, zoti Cohn u shpreh se për të kishte qenë kënaqësi t’i shërbente vendit dhe të miratonte politikat pro-ekonomike në përfitim të popullit amerikan, ashtu siç ishte edhe reforma historike e taksave.

Mediat amerikane spekulojnë se largimi i këshilltarit të ekonomisë Gary Cohn vjen pas planeve të presidentit Trump për vendosjen e tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit.

Cohn është një mbështetës i tregtisë së lirë dhe ky plan duket se e ka zemëruar ish-këshilltarin e ekonomisë. Raportohet gjithashtu se Trump e Cohn nuk kishin një marrëdhënie të afërt me njëri-tjetrin, pavarësisht bashkëpunimit të rëndësishëm në miratimin e reformës së taksave.

Data ekzakte e largimit të Cohn ende nuk është përcaktuar, por sipas presidentit Donald Trump, zëvendësuesi i tij do të zgjidhet së shpejti.

Mediat lakojnë emrat e Peter Navarro dhe Larry Kudlow si pasues të mundshëm të zotit Cohn.

Trump e ka përshkruar këshilltarin e tij të ekonomisë në largim si një “talent të rrallë”, i cili i ka shërbyer me përkushtim popullit amerikan.

Ndërkaq, sa i përket largimeve të shumta nga administrata e tij, Presidenti ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë nuk është në kaos dhe se ka ende disa zyrtarë të cilët ai dëshiron t’i ndryshojë.

/Ora News.tv/