Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  sot do të mbajë mbledhje urgjente pas sulmit me armë kimike në qarkun Duma të Gutës Lindore që gjendet nën rrethimin e regjimit sirian.

Në një deklaratë me shkrim nga përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley thuhet se me kërkesën e anëtarëve të përhershëm të KS-OKB-së si Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-të, si dhe të anëtarëve të përkohshëm si Bregu i Fildishtë, Holanda, Peru, Polonia, Kuvajti dhe Suedia është marrë vendimi për mbajtjen e një mbledhjeje të hënën,transmeton Anadolu Agency.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Haley ka vënë në dukje se armët kimike janë bërë shumë shpesh të përdorueshme për vrasjen e civilëve.

“Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të kërkojë qasje për ndërhyrjen e parë dhe për një hetim të pavarur si dhe duhet të mbajë si përgjegjës ata të cilët e kanë kryer këtë", ka thënë ajo.

Poashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian pas sulmit kimik kërkoi një takim urgjent nga KS-OKB për të diskutuar për gjendjen në Gutën Lindore.

Në sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, kanë humbur jetën 78 civilë.

/Ora News.tv/