Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj biznesmenit Arbër Çekaj, pronar i kompanisë Arbri Garden, e cila porositi kontejnerin ku u kapën 613 kilogramë kokainë më 27 shkurt.

Kërkesa është dorëzuar të martën në gjykatën e krimeve të rënda nga prokurori që po heton çështjen e kokainës, ndërsa ende nuk është shqyrtuar nga togat e zeza.

Burime për Ora News thanë se kërkesa e prokurorisë është caktimi i masës së sigurisë arrest me burg në mungesë ndërsa deri tani në gjykatë nuk është paraqitur ndonjë avokat për mbrojtjen e biznesmenit.

Arbër Çekaj u shpall në kërkim policor menjëherë pas sekuestrimit të kokainës më 27 shkurt në magazinat e kompanisë së tij në Maminas. Verifikimet e mëvonshme zbuluan se ai ishte larguar drejt Gjermanisë nga aeroporti i Rinasit atë pasdite.

Pronari i Arbri Garden ishte hetuar edhe më parë pas një denoncimi të antidrogës së Durrësit në dhjetor 2015 në lidhje me kapjen e një ngarkese prej 90 kilogramë kokainë në një kontejner me banane të porositur nga kompania e tij.

Gjatë dëshmisë së dhënë për llogari të hetimit të krimeve të rënda biznesmeni Çekaj kishte mohuar dijeninë e tij për kokainën e gjetur në kontejnerin e bllokuar në Ekuador duke thënë se kishte porositur banane, jo drogë.

Hetimi ishte pezulluar pasi Ekuadori nuk i ka kthyer përgjigje letërporosisë së prokurorisë shqiptare. Kjo dosje është rihapur së fundi pas kapjes së 613 kg kokainë në Maminas ku u arrestua menaxheri i kompanisë Arbri Garden dhe shoferi i kompanisë transportuese të kontejnerit. 

/Ora News.tv/