Gjykata e Tiranës liroi nga paraburgimi pronarin e ish-Universitetit privat “Kristal” që ishte arrestuar për shitje diplomash. Në fakt togat e zeza vendosën të pranonin kërkesën e prokurorisë për Ahmet Muçën, i cili u la në “arrest shtëpie”.

Ish-pronari i Universitetit privat “Kristal” u lirua nga paraburgimi, ku qëndronte prej 4 ditësh.

Gjykata e Tiranës vendosi të pranonte kërkesën e prokurorisë për ta lënë në “arrest shtëpie” Ahmet Muçën, i cili akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv në sektorin privat” dhe "falsifikim dokumentash".

Avokati Theodhori Sollaku, më herët kishte kërkuar një masë të lehtë dënimi për klientin e tij 70-vjeçar, si për shkak të moshës, ashtu edhe për faktin se nuk përbënte rrezik për prishjen e provave.

Deri në përfundimin e hetimeve Muça do të qëndrojë në "arrest shtëpie". Ai u arrestua në çastin kur po i jepte diplomën një agjenteje të infiltuar të policisë, në këmbim të 2500 eurove.

Firmat e Dekanit dhe Kancelarit të Universitetit ishin të skanuara, ndërsa numrat e Amzës ishin vendosur me bojë të njomë, çka do të thotë që mund të jenë falsifikuar rishtas.

Burimet nga policia thanë për Ora News se Muça ka lëshuar të paktën 17 diploma të tilla, ndërsa Ministria e Arsimit në një reagim thotë se pas mbylljes në vitin 2014, "Kristali" ka lëshuar 86 diploma falso.

/Ora News.tv/