"Kërkimet e Turqisë në Qipro, të paligjshme"

"Kërkimet e Turqisë në Qipro, të paligjshme"

Veprimtaritë e Turqisë për kërkimin e gazit dhe naftës në brigjet qipriote janë të paligjshme për Departamentin amerikan të Shtetit. Uashingtoni e cilësoi të martën prezencën e katër anijeve turke në rajon si provokim që do të rritë tensionet në rajon.

Shtetet e Bashkuara apelojnë Turqinë që të pezullojë menjëherë kërkimet për gaz në brigjet verilindore të Qipros, pasi ato janë të paligjshme.

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se brenda zonës ekskluzive të Republikës së Qipros mund të ushtrohen të tilla veprimtari vetëm me vendim qeverie.

"SHBA-ja është e shqetësuar nga këto aktivitete provokuese të cilat rritin tensionet në rajon. Inkurajojmë palët për vetëpërmbajtje. Zhvillimi i resurseve në Mesdheun Lindor duhet të nxitë bashkëpunim dhe të garantojë sigurinë energjetike dhe ekonomike të të gjithë rajonit," u përgjigj të martën për një medie lokale qipriote zëdhënësi i Uashingtonit.

Turqia aktualisht ka stacionuar tre anije naftëkërkuese dhe për qëllime hulumtimi në ujërat e Qipros.

Ministria e Jashtme turke njoftoi të hënën se një mjet i katërt do i bashkohet të tjerave së shpejti, ndërsa është dërguar edhe flota turke për të kryer manovra ushtarake pranë njërës prej anijeve naftëkërkuese.

Mesdheu Lindor mendohet se përmban një hapësirë rreth 223 trilion metra kub me gaz natyror, që mund të shfrytëzohet për dekada me radhë.

Nga ky korridor i fuqishëm energjetik pritet të përfitojnë më së shumti Qiproja, Greqia, Izraeli dhe Egjipti.

Ankaraja pretendon të njëjtat drejta për shkak të raporteve historike që ruan me pjesën turke të Qipros.

Kundërshtinë ndaj kësaj qasjeje e konfirmoi muajin e kaluar edhe Bashkimi Europian, i cili miratoi sanksione ndaj Turqisë duke ndalur miliona euro fonde investimi si edhe negociatat e nivelit të lartë për anëtarësim.

EMISIONET