Numri dy i qeverisë u ka bërë thirrje bizneseve që të respektojnë ligjin përndryshe do të ndiqen penalisht. Erjon Braçe la të nënkuptohej se shumë administratorë biznesesh  kanë kërcënuar zyrtarët e shtetit. Por selia blu mendon se aksioni i informalitetit është një shoë i qeverisë për të goditur sipërmarrjet e vogla që të mbushin arkën e buxhetit, të zbrazur nga oligarkët e Edi Ramës.

Qeveria shqiptare paralajmëron të gjitha bizneset që nësë nuk respektojnë ligjin do të përballen pas drejtësisë për evazion fiskal.

Numri dy i ekzekutivit, Erjon Braçe, u shpreh se do të ketë zero tolerancë për çdo abuzues të informalitetit, ndërsa u kërkoi administratorëve të disa sipërmarrjeve nën vëzhgim që të heqin dorë nga kërcënimet apo favorizimet.

Erjon Braçe: Do të doja ti çoja një apel të gjithë administratorëve apo pronarëve të njësive që gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë nën kontroll, kërcënimet përkundrejt nëpunësit të shtetit në detyrë do të ndëshkohen pa mëshirë. I kujtoj administratorit të Tajvanit këtu, apo administratorëve të Havanës dhe Azulit në Dhërmi që të bëjnë kujdes se çdo kërcënim ndaj punonjësit të shtetit që janë paraqitur pranë subjektit të tyre që do të përballen me ligjin deri më një.Çdo germë e artikuluar ndaj punonjësit të shtetit në detyrë si kërcënim do të trajtohet si krim dhe pavarësisht se presidenti nuk na e dha mundësinë që kodi penal të hynte në fuqi tani ne do të zbatojmë maksimumin e mundshëm që na jep ligji për të ndëshkuar secilin prej tyre.

Zëvendëskryeministri tha se nuk kërkojnë asgjë nga këto sipërmarrje përveç detyrimeve ligjore, kuponin tatimor për çdo blerje dhe shitje malli dhe shërbimi.

Erjon Braçe: Janë mbyllur disa njësi të mëdha ashtu siç janë gjobitur disa të tjera që janë kapur në shkelje për herë të parë. Ne nuk na duhet as gjoba dhe as mbyllja e njësisë së tyre. Ne duam që ata të punojnë ligjërisht, të fitojnë ligjërisht dhe të paguajnë detyrimet ligjore dhe fiskale. Gjithkujt që ka nisur këngën e vjetër "për një kupon po i mbyllni", dua ti them se po bëjmë atë që parashikon ligji.

Braçe tha se Administrata Tatimore është urdhëruar ti shkojë ligjit deri në fund.

"Rama favorizon klientët, godet sipërmarrjen e vogël"

Lulzim Basha mendon se shkak i informalitetit është qeveria e Edi Ramës me favorizimin e klientëve të tij. Për shkak të pasurimit të oligarkëve me anë të kontrabandës së karburantit dhe cigareve, sipas kreut të PD-së në 6 muajt e parë të 2019 buxheti i shtetit ka arkëtuar 25.2 mln euro më pak.

Lulzim Basha: Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar babëzinë dhe lluksin e Hajdutit Psiqik dhe klientëve të tij milionerë. Me ta ai vjedh të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, me ta vjedh pasuritë e shqiptarëve nga nafta te bregdeti, lumenjtë pyjet dhe trojet publike e private.

Vendim politik për Dakon, Braçe: Përballja me drejtësinë, personale

Gjithashtu PD ka akuzuar mazhorancën se brenda strukturave të saj ka njerëz të inkriminuar. Për vendimin e  fundit të DASH për ndalimin e hyrjes në SHBA të Vangjush Dakos, zv/kryeministri nuk ka një përgjigje nëse do ta përjashtojnë ish- kryebashkiakun nga kryesia e PS.

Erjon Braçe: Çdo akuzë e ngritur ndaj zotit Dako dhe gjithkujt tjetër, përfshirë dhe anëtarë të kryesisë së PS-së apo jo, apo përfshirë kryetarë të partive politike, siç është njëri prej kryetarëve të opozitës, apo nën të, në atë parti duhet të hetohet dhe gjykohet siç e parashikon ligji.

Askush nuk mund ti shmanget hetimit dhe gjykimit. Ne as kemi ndërmend të ndërhyjmë në këtë proces mes organeve të drejtësisë dhe cilitdo individi që ka një akuzë konkrete ne nuk futemi. Secili do të përballet me organet e drejtësisë individualisht në përputhje me ligjin në një proces të drejtë e të barabartë.

Koha kur përdorej imuniteti për ti ikur drejtësisë aq sa sot vijojmë të kemi një sistem pandëshkueshmërie në nivelet më të larta të politikës dhe çështje të pazgjidhura në gjykatë, dhe ku janë materializuar vjedhje me miliona e qindra miliona euro nuk ka më. Secili duhet të përballet patjetër."

Gjithashtu në fjalën e tij, Braçe akuzoi Lulzim Bashën se po përdor të gjitha mënyrat për të shpëtuar nga drejtësia, por la të nënkuptohej se me ngritjen e SPAK, askush nuk do të mund të shpëtojë nga krimi i kryer.

/Ora News.tv/