Tronditet Prishtina, konflikti për pronën vret dy persona dhe plagos dy të tjerë

Të shtënat me armë tronditën qytetin e Prishtinës rreth orës 16:00 minuta të ditës së sotme.

Ngjarja u shënua në lagjen e Spitalit në Prishtinë. Policia konfirmoi se katër persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në rrugën "Muharrem Fejza" dhe janë dërguar në spital për trajtim mjeksor.

Pak minuta më vonë nga spitali u konfirmua vdekja e njërit prej tyre, ndërsa në orët e mbrëmjes bilanci i viktimave shkoi në dy.

Aktualisht dy të plagosurit e tjerë nga ngjarja po mbahen në trajtim mjekësor.

Avdush Bajgora, specialist reanimator, tha se për momentin mjekët janë duke kryer dy intervenime kirurgjike në sallat emergjente.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë konfirmuar për mediat se tashmë kanë arrestuar dy persona lidhur me rastin dhe kanë konfiskuar dy armë zjarri, një me tytë të shkurtër dhe një me tytë të gjatë.

Policia nuk ka bërë të ditur zyrtarisht motivet e rastit, por sipas dëshmitarëve në konfliktin e armatosur janë përfshirë familjet Mehmeti dhe Rafuna, për shkak të kontestit pronësor.





EMISIONET