Prej vitesh, mungesa e mjekëve gjinekologë, i detyronte gratë matjane të drejtoheshin drejt Lezhës apo Tiranës për këtë shërbim. Tashmë kjo situatë ka marrë një zgjidhje, katër mjekë obstetër-gjinekologë nga Materniteti “Koço Gliozheni” i Tiranës, do të ofrojnë shërbime mjekësore pa ndërprerje në Spitalin e Burrelit.

Mjek gjinekolog, materniteti “Koço Gliozheni”, Vezir Tena: “Si maternitet, spitali “Koço Gliozheni” , të gjithë mjekët do të vazhdojnë këtu me nga një javë deri në qershor, për të mbuluar të gjitha pjesët që i takojnë obstetri-gjinekologjisë, të gjitha llojet e ndërhyrjeve, vizitat obstetrikale dhe gjinekologjike si shërbim ambulator edhe spitalor” 

Drejtori i Spitalit të Burrelit, Dritan Neli, shprehet se zgjidhja e ofruar nga Ministria e Shëndetësisë është e domosdoshme për të plotësuar nevojat për mjekë specialistë.

Drejtori i spitalit, Dritan Neli: “Kërkesave tona, ministrja Ogerta Manastirliu u përgjigj duke na sjellë dy mjekë shtesë dhe asistentin e tyre, të cilët do ta bëjnë me rotacion nga një herë në javë dhe do të mbulojnë shërbimin obstetrik-gjinekologjik për 24 orë. Kjo është zgjidhje përfundimtare dhe qytetarët tanë nuk do t’i drejtohen më spitaleve rajonale të Lezhës, Tiranës”

Vetëm në dy ditët e para të shërbimit nga mjekët e Maternitetit të Tiranës në Spitalin e Burrelit, janë kryer 36 ekografi dhe konsulta,1 lindje, ndërsa është vënë re një interesim i madh nga e gjithë zona e Matit për të kryer vizita dhe ekografi. 

Sistemi i patronazhimit, i lançuar nga ministrja Ogerta Manastirliu, do të shtrihet në të gjitha spitalet ku ka mungesa të mjekëve specialistë deri në plotësimin e nevojave me mjekët e rinj specialistë që përfundojnë studimet vitin e ardhshëm.

/Ora News.tv/