Opozita mbetet e vendosur në qëndrimin e saj se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë.

Sekretari për Zgjedhet në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin "Tempora" në TV Ora thotë se kjo qeveri nuk ka vullnetin për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose të paktën në standardet e zgjedhjeve 2013.

Kaso: Është artikuluar publikisht nga ne se zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të ketë sepse është e provuar se që prej 2014, standardet zgjedhore kanë ardhur duke u përkeqësuar dhe janë vetë raportet e OSBE-ODIHR e vërtetojnë këtë. Qeveria është e paaftë dhe nuk ka minimumin e vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ose të paktën zgjedhje me një farë standardi që ti afrohen zgjedhjeve të vitit 2013 që deri tani është standardi më i mirë i ofruar në Shqipëri. Në këto kushte opozita ka kërkuar krijimin e një qeveri tranzitore e cila të garantojë disa rregulla loje që i ofrojnë mundësi dhe opozitës për të garuar.

Duke komentuar deklaratat e ambasadorit të OSBE, Bernard Borchardt, i cili foli mbi frikën e krijimit të një precedenti, Kaso ka këtë koment:

Kaso: Duhet që kjo frikë për krijimin e një precedenti të legjitimojë standarde zgjedhore që përkeqësohen çdo zgjedhje e më shumë që të çojnë drejt autokracisë në rastin më të mirë, është një pyetje që të gjithë shqiptarët t'ja bëjnë vetes. Opozita ja ka bërë vetes dhe mendon se nuk ja vlen të sakrifikojmë nga të drejtat dhe liritë themelore të cilat jo vetëm janë shtyllat e demokracisë por janë dhe kushtet themelore për një bashkëjetesë demokratike dhe një bashkëjetesë në paqe sociale në vend. Janë standarde të patjetërsueshme dhe të panegociueshme. E tillë është aspirata dhe mendimi i atyre shqiptarëve që kanë dalë në protestë.

Ndërsa ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, thotë se përsa kohë palët politike të kaheve të ndryshme kanë gjykime të ndryshme mbi proceset zgjedhore duhet të dakordësohen për të pranuar verdiktin e një pale të tretë, si OSBE-ODIHR.

Celibashi: Partitë politike në Shqipëri gjithmonë do të jenë në kundërshtim me gjykimet dhe vlerësimet e tyre për procesin zgjedhor. Atëherë duhet të biem dakord ta pranojmë vlerësimin e një pale të tretë.




/Ora News.tv/