Një 37-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Perugias, në Itali, pasi u kap me dokumente falso.

Shqiptari ishte shfaqur në zyrën e prerjes së biletave me një dokument identifikimi grek, me atë të të cilit kishte mundur të kapërcente të gjitha kontrollet. Madje ishte future deri në Britani.

Por teksa priste prerjen e biletës, shqiptari kishte shfaqur dyshime tek stafi. Ata kishin thirrur policinë dhe shqiptari përfundoi në pranga.

Kontrollet e policisë vërtetuan se dokumentet ishin të falsifikuara. Pra i riu nuk ishte grek, por shqiptar, kështu që do të duhej të udhëtonte me një pasaportë edhe brenda Bashkimit Evropian.

Në deklaratën dhënë në Gjykatë, shqiptari kishte konfirmuar se ai e kishte blerë dokumentin e rremë në mënyrë që të hynte në Angli pa probleme. Gjithashtu ai konfirmoi se kishte blerë dokumentet e rreme sapo kishte zbritur në Tiranë dhe prej andej ishte nisur në Londër.

Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin dhe ka vendosur lirimin e shqiptarit, pasi ky i fundit ka pranuar fajësinë. Sëbashku me avokatin e tij ai është dakorduar për një dënim prej 1 vit e 3 muaj burg, që do ti konvertohet në gjobë.

Mbi shqiptarin rëndon akuza mbajtjes së dokumenteve të rreme dhe marrjes së një pasaporte dhe patente shoferi, të dy dokumentet greke të falsifikuara. Gjithashtu Gjykata ka lëshuar edhe urdhrin sipas të cilit 37-vjeçari shqiptar brenda 7 ditësh duhet të largohet nga territori italian.

Nisur nga historia e shqiptarit, nisi një hetim për një bandë shqiptare që prodhon dhe shet dokumente të rreme, përgjithësisht greke. Sipas policisë italiane banda lejonte bashkatdhetarët të lëvizin lirshëm brenda Bashkimit Evropian dhe të udhëtonin me destinacion Anglinë.

/Ora News.tv/