Kapet 4 mln euro drogë e nisur nga Spanja në Itali, grupi edhe me shqiptarë s'paguan më me para

Një sasi prej 400 kg drogë marijuanë dhe hashash si dhe një shumë prej 100 mijë eurosh është sekuestruar nga policia italiane, ndërsa operacioni ka përfunduar edhe me katër arrestime. Lënda narkotike vinte nga Spanja dhe kishte destinacion tregun italian dhe atë zviceran.

Operacioni blitz u zhvillua në kohën kur nga Spanja po hynte në Itali një mjet furgon.

Përveç drogës, shoferi me origjinë spanjolle dhe i arrestuar, kishte fshehur në kuti këpucësh, shumën e parave prej 100 mijë eurosh, të vendosura në kabinën e mjetit.

Tre italianë që i përkasin organizatës kriminale janë vënë në pranga, midis të cilëve edhe pronari i një ndërtese në Castronno (Varese), e cila ishte vënë në dispozicion të grupit për ruajtjen e drogës dhe shpërndarjen e saj në zinxhirin e furnizimit në Zvicër dhe Itali, përkatësisht në krahinat e Como-s, Milano, Bergamo, Varese dhe Bolonjës.

Operacioni, i kryer nga Guardia di Finanza e Ponte Chiasso dhe i koduar "Nobilitas", është pjesë e hetimeve të hapura në vitin 2016, deleguar nga prokuroria e Komos.

Të paraburgosurit përdorën masa të ndryshme parandaluese për të anashkaluar aktivitetet hetimore duke përdorur sistemet e komunikimit që konsideroheshin të sigurta. Ata ndërronin vazhdimisht telefonat e tyre celularë.

Por, një detaj i ri i pa përdorur nga grupet kriminale ishte transaksioni i pagesave nëpërmjet monedhës virtuale, Bitcoin, duke përfituar edhe nga karakteristikat e anonimitetit dhe mungesës së gjurmshmërisë së saj për të rritur volumet e blerjes.

Nëse droga do të shitej në çmim me pakicë, do t'i sillte organizatës një shumë prej 4 mln eurosh.

FOTO-GALERI 

EMISIONET