Policia ka zbardhen një sërë vjedhjesh të bagëtive të trasha të ndodhura në Lezhë dhe Shijak.

Në kuadër të operacionit të koduar "Kasapi" u arrestuan dy persona, të cilët në harkun kohor prill - korrik 2019, kanë kryer 7 vjedhje.

Në pranga u vunë shtetasit A.N., 32 vjeç, banues në Kurbin dhe E.L., 38 vjeç, banues në Paskuqan.

"Shtetasi A.N. dyshohet se në harkun kohor prill - korrik 2019, ka kryer 7 vjedhje, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Baqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas, ku ka vjedhur gjithsej  11 krerë bagëti të trasha, vjedhje këto të dokumentuara në mënyrë ligjore", sqaron policia.

Po ashtu gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një mjet fugon, i marrë me qera nga shtetasi A.N, që shërbente për të transportuar bagëtitë e vjedhura..

Ndërsa arrestimi në flagrancë i shtetasit E.L., u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij në Paskuqan, iu gjetën tre krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe në Maminas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”,  në ngarkim të shtetasit A.N. dhe për veprën penale ”Përvetësimi i parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale ” në ngarkim të shtetasit E.L.

/Ora News.tv/