Kapen 50 refugjatë në Bilisht

Kapen 50 refugjatë në Bilisht

Rreth 50 refugjatë mes tyre gra edhe fëmijë u ndaluan të shtunën në qytetin e Bilishtit.

Sipas Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit Korçë, klandestinët iranianë, sirianë dhe marokenë janë ndaluar në fshatrat Trestenik dhe Vernik.

Gazetarja Lediona Xheladinaj raporton se burime për Ora News thanë se çdo ditë kapen mbi 20 emigrantë, ndërkohë që muaji shtator shënon edhe numrin më të lartë të tyre.

Po sipas kësaj drejtorie gjatë muajit shtator janë kapur rreth 650 klandestinë, të cilët përmes Shqipërisë tentojnë të mbërrijnë në shtetet e BE.

Banorët e fshatrave të Bilishtit thonë se çdo ditë hasin në rrugë refugjatë por kanë frikë ti ndihmojnë apo strehojnë.

Banore: "Kemi parë sirianë. Një natë ishin 13 persona. Kemi frikë për shkak të fëmijëve, mendojmë mos na bëjnë ndonjë gjë."

Ndërkohë anija shqiptare Oriku dhe ekuipazhi i saj shpëtuan përmes 3 operacioneve 111 emigrantë në ujërat mes Turqisë dhe Greqisë. Emigrantët lundronin me dy gomone dhe një skaf, ndërsa ju dorëzuan rojet bregdetare turke.

EMISIONET