Kaos dhe dhunë në protestën e Parisit

Kaos dhe dhunë në protestën e Parisit

Java e 23-të e protestave antiqeveritare të jelekverdhëve në Paris precipitoi të shtunën shumë shpejt në dhunë, zjarr dhe kaos.

Mbi 6 mijë persona të mbledhur në kryeqytet për kauzat e tyre parësore për taksa dhe kosto më të ulët të jetesës, dhe rol më të madh në vendimmarrjen politike, u përleshën me policinë duke hedhur gurë dhe duke u vënë zjarrin motorëve e objekteve të ndryshme përpara tyre.

Policia ndërhyri duke e shpërndarë turmën përmes ujit, granatave tymuese dhe gazit lotsjellës, dhe duke arrestuan të paktën 137 persona për aktet vandale dhe kundërshtimin me dhunë të policisë.

Në fundjavë, disa nga protestuesit në Paris mbajtën edhe një qëndrim për zjarrin katastrofik që rrënoi në fillim të javës katedralen simbol të Notre Dam-it të Parisit.

Me pankartat me mbishkrimin "Po ne të varfrit", jelekverdhët u shprehën të zhgënjyer që lëvizja e tyre me karakter ekonomik që nisi gjashtë muaj më parë nuk ka marrë të njëjtin solidaritet.

Ata iu referuan korporatave dhe familjeve të pasura franceze të cilat deri tani kanë dhuruar mbi 1 miliardë euro për rindërtimin e monumentit botëror, duke shtuar se djegia e katedrales ishte një tragjedi, porse njerëzit janë më të rëndësishëm sesa gurët. Presidenti francez Emanuel Makron pritet të enjten e ardhshme t'u drejtohet kërkesave të jelekverdhëve me propozime konkrete pas muaj të tërë debatesh në mbarë vendin.

EMISIONET